News24 zbardh emrat e përfshirë në sherrin masiv që ndodhi para shkollës “Andon Zakon Çajupi” në kryeqytet, pak para nisjes së mësimit.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se të përfshirë në ngjarje janë shtetasit Edmond Faja, Elton Kasaj, Enea Kovaçi, Ndriçim Qefalia, Alvaro Toptani, Domenika Toptani dhe Elida Qenami (mësueset).

Nga ekzaminimet e policisë dyshohet se në ajër ka qëlluar Edmond Faja, i cili është arrestuar nga policia, ndërsa të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë.
Ndërsa Alvaro Toptani fill pas momentit të konfliktit është larguar dhe policia po punon për kapjen e tij për të sqaruar rrethanat. Mësuesja tjetër, me të cilën dyshohet se kishte nisur konflikti që të premten është identifikuar si Domenika Toptani, por ajo nuk ka qenë në vendngjarje ditën e djeshme.

Policia ka sekuestruar armën e përdorur nga Edmond Faja, një pistoletë TT dhe nga kontrolli i territorit në vendin e ngjarjes, pranë rrethimit të shkollës është gjetur një tjetër armë zjarri që dyshohet se i përket Ndriçim Qefalisë, punonjës i Policisë Ushtarake. Nga konflikti Enea Kovaçi mori dëmtime serioze dhe është duke marrë mjekim në Spitalin e Traumës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb