MIRDITE – Konflikti mes dy familjeve për një copë tokë për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Pas përleshjes me mjete të forta kanë mbetur të plagosur tre persona, dy prej të cilëve babë dhe bir.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës, bënë me dije se ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, në fshatin Domgjon të rrethit të Mirditës.

Mësohet se në sherr e sipër, Pashk Bajraktari ka prerë me motosharrë në qafë
fqinjin e tij, Pashk Përndoca, si dhe ka plagosur lehtë djalin e këtij të fundit, Ndue Përndoca. Gjithashtu, në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur dhe Bajraktari.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar Policia, e cila pas kryerjes së hetimeve paraprake ka arrestuar 48-vjeçarin Bajraktari, i cili akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje”. Ndërsa, është ndaluar Ndue Përndoca, i cili akuzohet po për plagosje.

NGJARJA

Që prej shumë vitesh, familja Bajraktari ishte në konflikt pronësie me familjen Përndoca. Të dyja familjet pretendonin pronësinë e një sipërfaqeje toke (është ndarë sipas Ligjit 7501) të mbjellë me pemë. Sipas banorëve
të zonës, pjesëtarët e dy familjeve fqinje janë konfliktuar vazhdimisht, pa
mundur që të gjejnë një zgjidhje. Pasditen e djeshme, rreth orës 17:40, konflikti ka degjeneruar në përleshje.

Burimet e mësipërme pohuan se Pashk Bajraktari ishte duke krasitur pemët, kur Pashk dhe Ndue Përndoca i kanë kërkuar që të ndërpriste punën, pasi
toka dhe pemët ishin të tyret.

Pas debateve dhe sharjeve të ndërsjellta, Pashk Përndoca ka goditur me
levë në brinjë Bajraktarin, duke e plagosur lehtë. Menjëherë, 48-vjeçari është hakmarrë me motosharrën që kishte në duar. Ai ka prerë në qafë Përndocën, duke e plagosur rëndë. Në këtë moment ka ndërhyrë
Ndue Përndoca, i cili ka mundur të shpëtojë të atin nga vdekja e sigurt,
por ka mbetur dhe vetë i plagosur.

Skena e dhunshme ka alarmuar banorët e fshatit Domgjon, të cilët kanë njoftuar Policinë. 40-vjeçari i plagosur rëndë është dërguar fillimisht në spitalin e Rrëshenit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe më pas është transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Mjekët e këtij spitali thanë se Pashk Përndoca i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe se ende ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkaq, blutë kanë arrestuar autorin e krimit, Pashk Bajraktarin, baba i tre
fëmijëve, si dhe kanë ndaluar dhe Ndue Përndocën.

Materialet në ngarkim të tyre i janë përcjellë Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

ar.sh/GazetaShqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb