FIER- Të shtrirë para pallatit dhe të mbuluar me gjak. Kështu e kanë gjetur familjarët një 53-vjeçar në lagjen “8 shkurti” të Fierit.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “BalkanWeb” se ai është shtetasi Petref Xhafaj, i cili fillimisht është përfshirë në një konflikt me një person ende të paidentifikuar, autorin e plagosjes.

Në debat e sipër ky person e ka qëlluar me thikë duke e lënë të shtrirë para pallatit. Fare rastësisht familjarët kanë parë një person të shtrirë e të mbuluar me gjak nga ballkoni, ndërsa kanë lajmëruar menjëherë policinë.

Në momentin që kanë zbritur janë tronditur nga ajo që i panë sytë. Ata panë të shtrirë familjarin e tyre. “E prisnim për drekë, po e gjetëm në atë gjendje”,- tha mes lotësh një nga të afërmit.

Ndërsa e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, familjarët nuk e dinë ende pse u plagos 53-vjeçari. Sakaq policia e Fierit po heton për identifikimin e autorit.

INFORMACION PARAPRAK
Në datën 17.02.2018, ora 14:10, në urgjencën e spitalit Fier, është sjellë nga familjarët shtetasi P.Xh, 53 vjeç, banues në Fier, i plagosur me thikë në bark. Shtetasi P.Xh ndodhet në sallën e kirurgjisë nën kujdesin e personelit mjekësor.
Grupi hetimor po punon për identifikimin, kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: