Migen Memelli fal kapitenin e Tiranës, por nuk ka në plan që ta pranojë më në ekip. Në pritje të mbledhjes që do të zhvillohet në klub në lidhje me skandalin e 4 ditëve më parë, trajneri jep “verdiktin” e tij. Pas reagimit të dhënë nga i riu Alban Çejku për gazetën, i cili e akuzoi për kërcënim dhe iniciator të incidentit teknikun pogradecar, ky i fundit eviton komentet ndërsa hapur thotë që nuk do të hyjë në diskutim me një adoleshent.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së U-17, evidenton se po vijon i qetë punën dhe nuk ngurron që të falënderojë që të gjithë miqtë e botës së sportit dhe jo vetëm, që u sensibilizuan me të në këtë çështje.

“Unë nuk mund të diskutoj dhe të debatoj me një adoleshent. Nuk mundem kurrsesi, më mirëkuptoni. Ne do të bëjmë një mbledhje në klub dhe në do të vendoset gjithçka”, u shpreh fillimisht Memelli.

Kur pyetet nëse ka në plan që ta pranojë sërish në ekip, në rast se në mbledhje vendoset që i riu të mos përjashtohet, ai thotë: “Por unë si trajner për të ruajtur dinjitetin tim, nuk mund ta pranoj lojtarin në fjalë në skuadër. Në çdo rast apo rrethanë, çdo trajner do të vepronte kështu si unë. Jam fyer e ofenduar, ndaj vetëm kështu mund të mbroj figurën time. Nëse klubi pastaj pranon lojtarin, pa kurrfarë ankese do të largohesha. Megjithatë nuk mund të flas para kohe, pasi gjithçka do vendoset në mbledhjen që do të planifikohet mes presidencës dhe drejtuesve të akademisë”. Trajneri i paratërinjve vlerëson lojtarin për të dhënat e tij, ndërsa thekson se për shkak të aftë- sive që ai mbart ishte edhe kapiten.

Por, nga ana tjetër është i prerë në vendimin që ka marrë për të mos e stërvitur më 17-vjeçarin, babai i të cilit e sulmoi pak ditë më parë në “Skënder Halili”, ndërsa luhej një miqë- sore.

“Me lojtarin nuk kam asgjë, madje mund të them që unë di edhe ta fal. Nuk kam asnjë lloj kundërshtimi që lojtari të vijojë karrierën e tij, por jo te skuadra ime. Kam personalitetin tim, ndaj nuk mund të prish balancat në këtë lloj forme, pasi përfaqësoj një kulturë të madhe, sa në shoqëri aq edhe profesionale. Shpresoj dhe uroj që kështu të trajtohet edhe mbledhja. Në të kundërt, do i uroj të gjithë për ditët që kalova te Tirana dhe do largohem me përshtypjet më të mira prej klubit”, përfundoi Memelli.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/sherri-te-tirana-memelli-ultimatum-klubit-e-fal-lojtarin-por-nese-e-rikthejne-ne-ekip/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: