TIRANE– Sheshi “Skënderbej” është vlerësuar nga një juri profesioniste ndërkombëtare si hapësira më e mirë publike e urbane në Europë për vitin 2018, duke triumfuar mes 279 projekteve nga 32 vende në konkurrim. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte dje në Barcelonë për të tërhequr çmimin. Ky vlerësim vjen pas atij që ky shesh mori në Bienalen e Çikagos para një viti, ku mori çmimin prestigjioz Europian për Hapësirën Publike Urbane 2018, i dhënë nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane më të rëndësishme të arkitekturës dhe dizajnit në Europë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky çmim është shpërblimi më i mirë i një pune të madhe të bërë që nga projektimi deri te ndërtimi i sheshit të ri “Skënderbej”.

“Nuk besoj se ka bekim dhe shpërblim më të madh të një pune kolosale; punë që filloi me Edi Ramën dhe ekipin e Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, pastaj në 2008 me konkursin, nisja e punës, mandej shkatërrimi dhe ‘varrosja’ e gjithë asaj pune nga administrata e gjumit, e në fund rizgjimi me projektin e Rilindjes Urbane, që solli një transformim të madh jo vetëm të sheshit ‘Skënderbej’”, tha kryebashkiaku Veliaj pas marrjes së çmimit.

Ai theksoi se ky çmim nderon çdo qytetar të Tiranës, që besoi te ndryshimi dhe tregon edhe një herë se kur ka bashkëpunim dhe mirëkuptim mund të bëhen gjëra shumë të mira, që vlerësohen ndërkombëtarisht.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se çmimi që mori sheshi “Skënderbej” është një tjetër provë se edhe Teatri i ri Kombëtar, ashtu si çdo projekt tjetër i sulmuar nga opozita, do të jetë një sukses që gjithashtu do të vlerësohet më pas.

Edhe anëtarët e jurisë ndërkombëtare shprehen vlerësimet e tyre, duke e cilësuar sheshin “Skënderbej” si një nga projektet më emocionues në kandidaturat e këtij viti.

Çmimi Evropian për Hapësirën Publike Urbane është një çmim i cili jepet çdo dy vjet nga Qendra e Kulturës Bashkëkohore e Barcelonës dhe gjashtë institucionet evropiane me qëllim për të njohur dhe për të inkurajuar projektet e rimëkëmbjes dhe mbrojtjen e hapësirës publike në qytetet tona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb