Është shfaqur në Muzeun Kombëtar ”Shtëpia me gjethe” pjesa “Çimka” që trajton shtypjen e shqiptarëve nën regjimet komuniste në Shqipëri e Kosovë. Historitë e piktorit Edison Gjergo, politikanes e shkrimtares Musine Kokalari, apo rapsodëve Dervish Shaqja e Demush Neziri ndërthuren për të përcjellë në ambiente të ndryshme të muzeut, ndjesitë e terrorit, përndjekjes, torturës, hetimeve dhe dënimeve në sistemet totalitare.

Pjesa erdhi si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë dhe qendrës Artpolis në Prishtinë. Me autor Shpëtim Selmanin dhe regji të Zana Hoxhës, në të interpretojnë aktorë nga Shqipëria e Kosova.

Publiku ndjek aktorët dhe shfaqjen nga njëra skenë në tjetrën, brenda dhe jashtë muzeut, për të gjetur ne vendndodhje të ndryshme, kuzhinën e shtëpisë, një çimkë te fshehur, hetuesinë a arratisjen në male. Me gjithë risitë që rreket të sjellë në formë, pjesa nuk i shpëton dot artificeve, dialogëve naive, takimeve të stisura dhe problemeve teknike kryesisht audio por pa lënë mënjanë fushëpamjen për spektatorin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb