Autoritetet greke janë kapur në një video duke i detyruar azilkërkuesit të hypin në një gomone shpëtimi dhe duke i braktisur ata në det të hapur. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar prej kohësh Athinën për praktika të tilla. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, Greqia mohon së është përfshirë në rikthimin në det të hapur të aizilkërkuesve dhe thotë se ka nisur një hetim për videon.

Një video e publikuar këtë javë nga New York Times pretendon se tregon një grup emigrantësh që dërgohen në ishullin grek të Lesbos më 11 prill, me një furgon të bardhë pa shenja. Në grupin prej 12 njerëzish kishte disa fëmijë të vegjël.

Më pas, njerëz të maskuar i detyrojnë të hypin në një gomone, që i çon në një anije të rojes bregdetare greke, e cila i lë në det të hapur, larg vijës bregdetare.

Emigrantët me sa duket janë detyruar të futen në një gomone shpëtimi dhe janë braktisur në mes të detit Egje. Ata thuhet se u kapën nga roja bregdetare turke një orë më vonë.

Pamjet, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga Zëri i Amerikës, janë filmuar nga Fayad Mulla i organizatës politike austriake Der Wandel, i cili për vite të tëra ka dokumentuar trajtimin e emigrantëve që zbarkojnë në brigjet greke. Ai thotë se ka qenë dëshmitar i shumë “kthimeve” të tilla.

“Mesatarisht, një herë në dy ditë roja bregdetare turke gjen një gomone shpëtimi me emigrantë diku në kufirin detar mes Turqisë dhe Greqisë në Egje. Kjo praktikë ka filluar tre vjet më parë. Ky është një operacion i madh i shtetit grek. Mendova se zgjidhja e vetme për këtë ishte t’i filmoja këto krime dhe të publikoja videon”, thotë ai.

Qeveria greke mohon kryerjen e këtyre veprimeve, pavarësisht provave të shumta të rikthimit në det të hapur të emigrantëve. Në janar, Zëri i Amerikës raportoi për vdekjen e emigrantit turk Barış Büyüksu. Ankaraja thotë se ai vdiq pasi u torturua në ishullin grek të Kos-it dhe u fut me forcë në një gomone, që u dërgua në ujërat turke. Athina mohon të ketë patur njohuri dhe nuk mori përgjegjësinë për këtë.

“Ne shohim shkelje të ligjeve të shumta. Kemi parë krime në Greqi si rrëmbimi, heqja e lirisë së njerëzve, refuzimi për t’i ofruar njerëzve një procedurë të drejtë azili, dëbimi i tyre. Sigurisht, kemi edhe shkelje të ligjit në nivel ndërkombëtar dhe evropian”, thotë Fayad Mulla.

New York Times thotë se i gjurmoi emigrantët në një objekt paraburgimi në qytetin turk të Izmirit dhe tha se ka arritur të verifikonte ngjarjet e përshkruara në video.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis reagoi, duke thënë që ajo që shihet në video është një “praktikë krejtësisht e papranueshme”, por këmbënguli se politika e qeverisë së tij ndaj emigrantëve ishte “e ashpër, por e drejtë”.

Kryeiministri Mitsotakis i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ofrojë më shumë ndihmë për çështjen e imigracionit. Analistët thonë se ka pak shenja për ndonjë marrëveshje të re për këtë.

“Shumë qeveri të vendeve të Bashkimit Evropian e kanë ngritur çështjen e ndarjes së barrës së imigracionit. Por unë mendoj se ata në një farë mënyre janë pajtuar me faktin se nuk do të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, të paktën në aspektin afatshkurtër. Dhe ajo që po ndodh për momentin është se çdo vend kujdeset për veten e tij”, thotë Camino Mortera-Martinez nga Qendra për Reformën Evropiane.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Greqisë që të hapë një hetim të pavarur për atë që tregon videoja e publikuar. Kritikët thonë se Bashkimi Evropian është tashmë plotësisht i vetëdijshëm për atë që po ndodh në brigjet e tij jugore./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb