Rusia nisi stërvitjet e mëdha ushtarake në Krime të enjten, nën mbikëqyrjen personale të Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, si pjesë e shfaqjes së forcës në kufirin jugor të Ukrainës, që ka nxitur shqetësim të madh në Kiev dhe perëndim.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video, që tregon trupat teksa largohen për në zonën e stërvitjes, jo shumë larg qytetit Kerch të Krimesë. Sipas njoftimit, “ministri rus i Mbrojtjes fluturoi me helikopter mbi zonat ku janë vendosur trupat e pajisjet ushtarake dhe kontrolloi gatishmërinë e forcave detare dhe tokësore”.

Ndërkohë agjencia e lajmeve “Interfax” tha se stërvitjet do të përfshinin më shumë se 10 mijë ushtarë dhe më shumë se 40 anije luftarake. Në një tjetër zhvillim, Kremlini tha se presidenti Vladimir Putin ishte në dijeni të një ftese nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy për t’u takuar për të diskutuar krizën.

Përqendrimi i forcave në Krime, gadishullin që Moska aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, është tani më i madh sesa gjatë aneksimit të Krimesë. Një diplomat i lartë i Bashkimit Europian tha të hënën se Rusia ka vendosur pranë kufirit me Ukrainën rreth 100 mijë trupa.

Po ashtu të enjten, ministri i jashtëm i Ukrainës u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të tregonin se ishin të përgatitur për të ndëshkuar Moskën me sanksione të reja, duke përfshirë përjashtimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave bankare SWIFT, për të penguar Kremlinin që të përdorë më shumë forcë ushtarake. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: