Vendi ynë prej disa ditësh po përballet me reshje të dendura shiu, kryesisht zona veriore dhe veriperëndimore.

Në një lidhje skype për ‘News24’ meteorologia Lajda Porja tha se tashmë reshjet e shiut do të zhvendosen në jug të vendit, ku Vlora, Gjirokastra dhe Berati pritet të kenë reshje me intensitet të lartë.

Po ashtu ajo tha se pritet që nesër dhe pasnesër të ketë ndërprerje të reshjeve, por ulje të ndjeshme të temperaturave, deri në 6 gradë më pak. Porja tha se dhjetori, muaji i festave, do të shoqërohet kryesisht me reshje shiu.

 

“Siç i keni parë dhe problematikat, ky ciklon e ka pasur qendrën në veri dhe veriperëndim. Probleme kanë pasur Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi. Pritet që sot të kemi spostim drejt zonës jugore, ku do regjistrohen shira të konsiderueshme, si në Vlorë, Gjirokastër, Berat. Në këto qytete pritet që të kenë reshje të konsiderueshme. Situata parashikohet që të mbetet problematike deri në pasdite. Nesër do të ketë reshje në mëngjes, dhe më pas do të kemi përkeqësim të situatës termike. Nesër pritet të kemi ulje të temperaturave. Nesër marrim pak frymë me reshjet, por temperaturat zbresin me 5 apo 6 gradë me poshtë. Do të kemi rikthim të vranësirave në fundjavë, pasi do të kemi shira sërish. Pritet që me episodin tjetër, do të kemi jo vetëm mbushje të kuotave mujore, por dhe tejkalim. Deri në datë 20 situata do jetë e paqëndrueshme. Do kemi sërish rrezikun e përmbytjeve lokale. Temperaturat e ajrit do të kenë luajtje. Dhjetori do të jetë një muaj me reshje. Pas të mërkurës, parashikohet që të kthehen sërish reshjet e shiut, por duke sjellë në fundjavë temperatura më të larta.”, tha Porja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: