Në Maqedoninë e Veriut, të hënën, u regjistrua ulje e madhe e personave të infektuar me koronavirus.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, nga testimi i 450 mostrave, me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, janë diagnostikuar vetëm 11 persona – shifër kjo më e ulëta në pesë muajt e fundit.

Edhe të dielën u regjistruan 39 të infektuar nga 817 teste.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë edhe për tri viktima nga koronavirusi, me të cilat numri i përgjithshëm i tyre arrin në 603.

Deri tani, në Maqedoninë e Veriut janë testuar gjithsej 148,269 persona; prej tyre, 14,341 janë diagnostikuar me COVID-19, 11,157 janë shëruar, ndërsa raste aktive mbeten edhe 2,581.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e hapur për të gjithë dhe unë mbetem i përkushtuar ndaj politikave shëndetësore, në interes dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, tha Venko Filipçe në ditën e parë të mandatit të ri si ministër i Shëndetësisë.

“Qëllimi ynë është që të kemi pacientë të kënaqur, profesionistë të vlerësuar dhe të motivuar të shëndetit. Do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur dhe të përkushtuar ndaj sistemit shëndetësor, pasi qytetarët meritojnë më të mirën, qytetarët meritojnë një shëndet publik cilësor, të arritshëm për të gjithë”, tha ai.

Kryeministri Zoran Zaev tha se sektorin shëndetësor do ta ketë prioritet në punën e qeverisë së re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb