Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid.

Në 24 orët e fundit janë ndëshkuar me masë administrative 1579 qytetarë që u konstatuan pa maskat mbrojtëse, gjatë fundjavës.

Po ashtu është marrë masë administrative 1.000.000 lekë për një subjekt që nuk respektoi protokollet e sigurisë si edhe për 7 qytetarë që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.

NJOFTIMI I PLOTË
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1579 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, 1 lokal në ambientet e të cilit nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 7 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: