Për Institutin e Statistikave numri i të larguarve nga Shqipëria në tetë vitet e fundit është vetëm 356 mijë. Të dhënat e marra në krahasim nga 2011 deri në 2018 tregojnë se numri i shqiptarëve që është larguar jashtë vendit ka ardhur në rënie. Kështu nga 55 mijë qytetarë emigrantë në 2011-ën, numri i të larguarve është ulur gradualisht në gati 39 mijë, ose 16 mijë më pak tetë vite më vonë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ajo që vihet re është fakti se deri në vitin 2016 ka pasur një rënie konstante të numrit të emigrantëve.

Ndërkohë që trendi ka ndryshuar në vitin 2017 ku numri i të larguarve nga Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2016, me gati 8 mijë persona nga 32 mijë në fund të 2016-ës numri i personave që kanë lenë vendin ka arritur në gati 40 mijë. Por situata ka ndryshuar në vitin pasardhës, ku numri i të larguarve është ndalur në gati 39 mijë.

Gjithsesi mund të themi se në tetë vjet nga Shqipëria janë larguar më shumë persona sesa popullsia e qytetit të dytë më të madh në vend, Fierit. Emigracioni dhe numri i pakët i lindjeve duket se po e çojnë rënien e popullsisë në vend në pikiatë më shumë se parashikimet.

Në po këtë periudhë të marrë në studim nga INSTAT 2011-2018, shtesa natyrore e popullsisë shqiptare apo diferenca mes lindjeve dhe vdekje pothuajse është përgjysmuar. Çka do të thotë se përgjatë tetë viteve ka ndodhur një rënie e lindjeve dhe rritje e numrit të vdekjeve.

Nëse në fund të 2011-ës shtesa natyrore e popullsisë rezultonte në 14 437 individë në fund të vitit 2018-të ka arritur në 7130 persona me një dinamikë të popullsisë në rënie gati të përgjysmuar. Shtesa natyrore e popullsisë ka filluar rënien që pas viteve 90, deri në vitin 2008, si rrjedhojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindjeve dhe më pas ky tregues u stabilizua. Por ka filluar rënien e shpejtë sërish pas 2014-s, që përkon edhe me rigjallërimin e ciklit të emigracionit në vend. Këto shifra tregojnë se Shqipëria po shkon drejt plakjes së popullsisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb