Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, përkatësisht në zonën e Kombinatit, Belind Këlliçi, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për programin e PD për rininë, që u prezantua ditën e sotme nga kryedemokrati Lulzim Basha.

Teksa solli në vëmendje të gjitha pikat kryesore të programit të PD për rininë, Këlliçi tha se statistikat e largimit nga vendi të moshave të reja janë alarmante, ndaj duhet bërë gjithçka për të frenuar këtë fenomen.

“Ne synojmë të rikthejmë shpresën dhe të mbajmë rininë këtu. Në gjendjen aktuale shifrat janë alarmante të atyre që i janë drejtuar emigracionit dhe që duan të ikin nga Shqipëria. Statistikat janë të tmerrshme, ku 74% e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria. Ndërsa 94% e atyre që kanë ikur nuk duan të kthehen më në Shqipëri, dhe kjo është një e dhënë e tmerrshme, e frikshme. Grupmosha 22-29vjeç, që kanë mbaruar një master, sot e gjejnë veten të papunë. Tarifat janë shumë të larta, nuk ke mundësi të shkollohesh, të edukohesh, të punësohesh, e vetmja mënyrë është largimi. Për të frenuar këtë fenomen, ne kemi programin tonë, që është ambicioz, por krejtësisht i realizueshëm. Premtimi jonë i parë është anulimi i ligjit të arsimit të lartë. Ne do të zerojmë tarifat e edukimit për gjithë të rinjtë, që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Do të përgjysmojmë tarifën për kategoritë e tjera, që vijnë nga familje me të ardhura të tjera. Do të jemi bursa për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë të shkollohen. Do të kemi investim edhe në konvikte. Do krijojmë katër inkubatorë biznesi, në mënyrë që të rinjtë t’i japim zë e mundësi ideve të tyre për të krijuar një biznes, për të nxitur punësimin. Do të financojmë 10 mijë stazhe për studentët më të mirë, të paguara me 30 mijë lekë për një vit, në mënyrë që të nxisim punësimin. Do të nxisim investimet e huaja, që të hapim vendet e reja të punës në vend. Do të ketë amnisti fiskale, ulje taksash, për këto kompani që punësojnë të rinjtë”, tha Këlliçi.

A do të ketë disa kritere?
Do të jetë me një kontratë pune afatgjatë dhe do të jetë reale, e matshme gjithçka. Të gjitha këto masa inkurajojnë punësimin, shtimin e popullatës, krijimin dhe shtimin e cifteve të reja. Shqipëria po tkurret cdo ditë e më shumë, me ikjen e shqiptarëve. Do të ketë standarde, do të ketë seriozitet. E gjitha kjo, kombinuar me programin tonë në të gjitha fushat, jam i bindur që do të rikthejnë dhe kanë rikthyer në fakt shpresën. Ka ardhur momenti që të largohet kjo qeveri për të ndenjur të rinjtë këtu, se boll ikën të rinjtë, për t’u pasuruar një grup oligarkësh e politikanësh. Është e tmerrshme të shohësh se si të gjitha qytetet boshatisen nga të rinjtë. Shumica e të rinjve sot janë të papunë, nuk gjejnë dot një vend pune.

Sa përqind e të rinjve në Shqipëri punojnë në profesion, pasi mbarojnë fakultetin?
62% e tyre janë të papunë, ndërsa rreth 80% janë ata që kanë mbaruar universitetin dhe nuk punojnë në profesionin e tyre. Këta po lodhin shqiptarët me propagandë. Këto 8 vite është goditur shtresa më frontale e shoqërisë sonë. Sot po ikin edhe ata që kanë paga të mira, pasi nuk kanë siguri në vendin tonë. Edhe ato para që marrin, ua merr qeveria në forma të ndryshme. Ka rritur çmimin e naftës, jetesën e ka bërë shumë të shtrenjtë, nuk ka rritur pensionet. Nëse do të ishte Shqipëria kaq e bukur, sa na e shesin këta përditë me propagandë, nuk do të iknin të rinjtë. Kjo farsë e madhe do të marrë fund. Unë kam zonën e Kombinatit, që për fat të keq është njësia më e varfër e Tiranës. Edhe tërmeti ka bërë të tijën, por nuk është vetëm tërmeti i 26 nëntorit, por është tërmeti ekonomik. Jetojnë në skamje, janë me dhjetëra familje që iu është prishur shtëpia nga tërmeti dhe janë shpërngulur në fshatra, dhe qeveria iu kërkon tua bëjë shtëpitë nëpër fshatra, pa ua kompensuar. Programi ynë, që është tërësisht realist, do t’i japë fund kësaj gjendjeje. Ne do t’i bëjmë të gjitha premtimet, që po japim. Jemi të vërtetë me njerëzit, ndaj besimi është kaq i madh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb