Partia Demokratike ka reaguar pas shifrave të publikuara sot nga prestigjiozja “The Economist”, ku thuhej se të paktën 12 mijë shqiptarë humbën jetën nga koronavirusi dhe se shifrat nuk ishin raportuar të sakta.

Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, thekson se “The Economist” konfirmoi sot denoncimet e PD “për dështimin total të qeverisë Rama në menaxhimin e pandemisë”.

“Publikimi i analizës nga The Economist, është një konfirmim  i qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij mbajnë përgjegjësi direkte për fshehjen e numrit të viktimave”, thuhet në reagimin e Zhupës.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA

Fatkeqësisht Economist sot ka konfirmuar denoncimet e PD për dështimin total të qeverisë Rama në menaxhimin e pandemisë: dhe konkretisht fshehjen e numrit të lartë te viktimave. Rama e bëri këtë për te fshehur njërën nga provat e dështimit të tij në përballjen me Covid 19. Rama është shkaktari i humbjes së këtyre jetëve, ndaj u përpoq t’i fshehë ato.

Në 19 nëntor 2020 kryetari i Partisë Demokratike Basha denoncoi publikisht fshehjen e numrit të viktimave, një akt i paprecedentë i Edi Rames që përpiqej kështu të fshihte keqmenaxhimin dhe abuzimet e Ministrisë së Shendetesise.

Spitalet e tejmbushura dhe me kapacitete gjysmake, mungesa e medikamenteve, korrupsioni në cdo segment të institucioneve të shëndetësisë, sollën dhe rritjen e frikshme të numrit të viktimave.

Publikimi i analizës nga The Economist, është një konfirmim  i qartë se Edi Rama dhe qeveria e tij mbajnë përgjegjësi direkte për fshehjen e numrit të viktimave.

Kjo është fytyra e vërtetë e regjimit që keqmenaxhon fondet për spitale, vjedh sa te mundet në tenderat e shëndetësisë, paguan inceneratorët edhe gjatë pandemisë, tërësisht në shërbim të një grushti oligarkësh, duke braktisur njerëzit.

Në jo pak vende të botës, qeveritarët  kanë shkuar përpara drejtësisë për keqmenaxhimin e pandemisë, prandaj studimet ndërkombëtare mbi këtë dështim të tëmerrshëm të Edi Ramës nuk mund të qëndrojnë larg vëmendjes së drejtësisë shqiptare, e cila duhet të zbardhë me urgjencë të vërtetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb