Më 10 korrik pas mesnatës në Mitrovicë, si pasojë e plagëve të marra ng arma e zjarrit vdiq një 49 vjeçar. Tri ditë pas këtij rasti, një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në Viti.

Fillimisht nga Policia e Kosovës u njoftua se nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të martën në këtë vend kishin mbetur tre persona të plagosur ku dy nga ta ishin në gjendje më të rëndë.

Si pasojë 25 vjeçari me inicialet A.R, nuk arriti t’i përballojë plagëve dhe vdiq në Spitalin Rajonal në Gjilan. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar një person i dyshuar.

Këto janë vrasjet e fundit që tronditën Kosovën, por jo të vetmet që ndodhën në 2021-ën. Bazuar në të dhënat e policisë vetëm gjatë periudhës janar-maj 2021, kanë ndodhur nëntë vrasje në vendin tonë.

Ndërkaq, për dy vjet e gjysmë në Kosovë kanë ndodhur 61 raste të vrasjeve.

“Policia e Kosovës te gjitha rastet i evidenton sipas kodit penal te RKS-së. Po ua përcjellim numrin e rasteve të vrasjeve ndër vite; ku në vitin 2019 kane ndodhur 23 raste, në vitin 2020 kanë ndodhur 29 raste, kurse në periudhën janar-maj 2021 janë evidentuar 9 raste të vrasjeve”, thuhet në një përgjigje për Klankosova.tv nga Zyra e Informimit e Policisë së Kosovës.

Ndodhitë e tilla po konsiderohen shqetësuese nga ana e ekspertit të sigurisë Drizan Shala.

Sipas tij, institucionet e sigurisë duhet të marrin masa konkrete që do të ndikonte në uljen e numrit të vrasjeve.

Ai tha për Klankosova.tv se duhet të shtohen edhe pikat e kontrollit dhe duhet të rifillojë edhe një fushatë për dorëzimin e armëve pa leje nga ana e qytetarëve.

“Në lidhje me fenomenin e vrasjeve në Kosovë mund të themi që kjo dukuri varësisht në cilën periudhë mund të themi që si dukuri është shqetësuese sepse tregon tendencën e rritjes së këtij fenomenit në shoqërinë kosovare dhe organet e rendit si reagues i parë duhet të shtojnë pika kontrolli dhe ri-fillimin e një fushate të re të dorëzimit të armëve të shkurta dhe vetëm në këtë forme mund të krijojmë një pasqyre reale se sa armë janë në duart e qytetarëve tanë”.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, theksoi se duke iu referuar shifrave të publikuar nga Organizata Evropiane për Bashkëpunim dhe Siguri e njohur si (OSBE), në duart e qytetarëve të Kosovës gjenden 200 mijë armë të shkurtra.

Sipas tij kjo përbë një rrezik permanent për sigurinë e vendit.

“Sepse deri më tani kampanjat e organizuar nga MPB-ja nuk treguan një rezultat të kënaqshme siç është pritur nga vete ky institucion ku sipas shifrave nga OSBE-ja në duart e qytetarëve janë mbi 200.000 armë të shkurta dhe kjo përben rrezik permanent për sigurinë e institucioneve të vendit”.

Shala vlerëson se një nga shkaqet që mund të shtyjë në kryerjen e vrasjes janë presionet e ndryshme që ballafaqohet shoqëria kosovare.

“Por, problem tjetër kryesor është që shoqëria kosovare nga presionet e ndryshme më të cilat ballafaqohen mund të shtyjnë ata të veprojnë nën efektin e tyre dhe me këtë duhet që edhe mekanizmat tjerë institucional të hartojnë një plan operimi që në një periudhë katër vjeçare të mund të minimizojnë këtë tendencën e agresionit brenda shoqërisë”.

Ndër të tjera Drizan Shala, tha për Klankosova.tv se edhe krahasuar me vendet e rajonit Kosova nuk qëndron edhe aq mirë.

“Vrasja si vepër penale në Kosovë në raport me vendet e rajonit mund të themi që nëse i referohemi numrit të banorëve në këtë periudhën e parë të 2021 tregon që nuk jemi mirë në raport më vendet e rajonit ku vepra penale vrasje nuk është në rritje apo më mirë të themi tendenca është e ultë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb