Përmes një postimi në facebook, kreu i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar për situatën e krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Patozi shkruan se për të kuptuar Shqipërinë nesër, mjafton të shohësh Kosovën sot.

“Shihni Kosovën sot për ta kuptuar më mirë Shqipërinë nesër! Atje, edhe pse e kanë bërë gjysmën e rrugës, çfarë nuk po heqin për të dalë në breg (gjithmonë nëse do t’ia dalin). Ndërkohë ne jemi ende shumë larg hallit të tyre, sepse nuk kemi bërë as hapin e parë, të paktën për të shpresuar në zgjedhje të pranueshme, që mund të sillnin ndryshimin.”- shkruan Patozi.

Postimi i plotë:

Kosova votoi qartësisht për ndryshimin, por zgjedhjet po harrohen që kur u mbajtën dhe vendi ende nuk po e ka qeverinë e re. Tashmë euforia triumfaliste e çasteve të para, plot me patos patriotik dhe entuziazëm futurist, i ka lënë vendin kalkulimeve të rëndomta pragmatiste, por edhe shndërrimi gradual i poezisë në prozë nuk duket se po ndihmon shumë.

Uroj shumë që zgjidhja të gjendet sa më shpejt, mundësisht në ditët e mbetura të këtij viti, ndonëse shenjat nuk janë shumë të mira. Ndërkohë, edhe me kaq sa po ndodh, ne të gjithë e kemi marrë të plotë mesazhin.

Është shembulli më elokuent për të parë dhe kuptuar se e keqja ka shkuar shumë larg në këto viset tona arbnore. Ku, me sa duket, edhe vullneti i shprehur pastër i sovranit, është i pamjaftueshëm për ta shkundur nga rrënjët statuskuonë. Që do të thotë se ai mund të plotësohet vetëm atëherë, kur nuk bie ndesh me interesat dhe me llogaritë e politikës së vjetër ballkanike.

Në Kosovë sot gati sa nuk po thonë që nuk duhet të ndryshojë politika nga vota e popullit, por vullneti i këtij të fundit duhet korrigjuar që të përshtatet me hallet e udhëheqësve të vet. Aq e fortë dhe këmbëngulëse është rezistenca për të mos lëshuar asnjë centimetër nga llogoret e politikës arkaike, edhe pse ajo është përgjegjëse për të gjitha dështimet dhe mossukseset e shtetit më të ri të Europës.

E pra, e gjitha kjo po ndodh në Kosovë, pas një palë zgjedhjesh çliruese, të cilat u panë gjerësisht që mund të shërbenin si frymëzim edhe për të tjerët. Përfytyro çfarë bëhet në këtë Shqipërinë tonë të lodhur, ku nuk ndjehet të fryjë as edhe një fllad i lehtë për të konsumuar qoftë edhe aktin e parë të ndryshimit: për të pasur zgjedhje normale dhe të pakontestuara, që prodhojnë një rezultat ndëshkues për politikanët e korruptuar.

Në Tiranë sot flitet për gjithçka tjetër, përveçse për një reformë të thellë zgjedhore, e cila ishte, jo vetëm një nga kushtet e forta të Bundestagut për Shqipërinë, por do të ishte edhe parakushti themelor për të shpresuar realisht se mund të kishim zgjedhje normale në vitin 2021 (sepse këtë gjoja kërkesën e ndonjë opozitari për zgjedhje të parakohshme nuk e besoj fare).

Qofsha i gabuar, por nuk kam as më të voglën pritshmëri për një reformë apo marrëveshje të qenësishme, që do të hapte një kapitull të ri për shtetin e së drejtës dhe të rendit demokratik në këtë vend. Sepse e shikoj dhe ndjej që nuk ka asnjë grimë vullneti për të prishur qetësinë e sistemit të kalbur të kryetarokracisë, i cili shërben si gjenerator për korrupsionin, arrogancën, padrejtësinë dhe abuzimin e frikshëm me pushtetin në Shqipëri.

Sot ka më shumë vlerë dhe merr më shumë vëmendje debati për fituesen e Festivalit të Këngës në RTSH apo rrahjen e Laert Vasilit, sesa perspektiva tmerrësisht e zymtë e Republikës sonë, e cila edhe kështu siç është, mezi po mbahet në këmbë.

Të më falin patriotët e xhindosur në të dy anët e kufirit nga Minishengeni Ballkanik, por edhe nëse ai është realisht një problem, jam i bindur se do të kishte qenë gabimi më i vogël i Edi Ramës dhe i kësaj qeverie në këtë kohë qameti dhe tërmeti për Shqipërinë.

Ndaj edhe më vjen të qesh kur dëgjoj dhe lexoj optimistë romantikë, të cilët i tregojnë publikut ëndrrat e tyre me një Shqipëri të lulëzuar, që po lind gërmadhash, herë duke e lidhur këtë me mrekullitë që do të ndodhin pas ngritjes së SPAK-ut, e herë me vendime që janë marrë në kancelaritë më të fuqishme të botës për të shpëtuar shqiptarët nga pengmarrësit e tyre.

Shihni Kosovën sot për ta kuptuar më mirë Shqipërinë nesër! Atje, edhe pse e kanë bërë gjysmën e rrugës, çfarë nuk po heqin për të dalë në breg (gjithmonë nëse do t’ia dalin). Ndërkohë ne jemi ende shumë larg hallit të tyre, sepse nuk kemi bërë as hapin e parë, të paktën për të shpresuar në zgjedhje të pranueshme, që mund të sillnin ndryshimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: