TIRANE– Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka diskutuar në mbledhjen e sotme projektbuxhetin për vitin 2018, për SHISH. Duke u ndalur tek nevojat ku duhet të fokusohet buxheti për këtë institucion për vitin e ardhshëm, drejtori ekonomik në SHISH, Ylvi Aga, u shpreh se duhet të bëhen disa ndryshime në projektligj, si dhe ka kërkuar më shumë fonde.

Aga ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar. “Mund të dalin informacione të klasifikuara”, ka thënë Aga.

Qeveria kishte parashikuar 1.5 miliardë lekë për këtë institucion, por SHISH kërkon fonde shtesë për godina dhe shpenzime operative (paga, përgjime).

Në fund të mbledhjes është votuar për rishikim të buxhetit për SHISH, duke shqyrtuar edhe kërkesat për rritje të fondeve.

DEBATET NE KOMISION
Drejtori ekonomik i SHISH kërkon rritje të numrit të personelit, dhe rritje të buxhetit në shumë zëra nga 30-50%. Pasi bëri parashtrimin, theksoi se institucionit i duhet një pjesë buxheti për rinovimin e aparaturave, pasi të gjitha përgjimet bëhen nga aparaturat e SHISH në të gjithë Shqipërinë.
Drejtori ekonomik në SHISH (Ylvi Aga): Qeveria ka parashikuar që nga kërkesa që ne kemi bërë për këtë vit të japë më pak fonde.

Ministria rritjen 5% e ka vetëm për pagat, sigurimet shoqërore.

Ervin Salianji:
Drejtor kam një pyetje për ju. A mund ta realizoni punën tuaj në kushte kur jua përgjysmojnë fondet? Në kushtet ku jemi, ku kriminaliteti është i lartë dhe grupet e strukturuara janë në pikën më të fortë të tyre, a e cënon veprimtarinë e punës suaj kushtetuese mos marrja e kaq parave? Mendoj se institucioni i SHISH, duhet të marrë jo vetëm fondet e kërkuara, por edhe shtesë në gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Ermonela Felaj: Z.Salianji kërko fjalën përpara se të ndërhysh.

Drejtori ekonomik në SHISH (Ylvi Aga): Patjetër, por unë nuk jam personi që mbaj përgjegjësi për SHISH-in. Nga parashikimet tona rezulton se nuk do ta bëjmë dot punën siç e kishim parashikuar.

Myslim Murrizi: Nuk e keni parashikuar mirë ju, apo ju cenohet…

Sterkaj: Për SHISH-in është çështje e rëndësisë kombëtare. Le t’i japim çfarë ka kërkuar.

Felaj: Nuk është diskutim, është koha e pyetjeve…

Sterkaj kërkon të marrë fjalën, por Felaj e ndalon.

Paulin Sterkaj: Mos më ndërpre më se je bërë si mësuese, je bërë si baba Taku… Edhe unë mendoj që për të ardhmen e fëmijëve tanë duhet të heqim nëse është e nevojshme edhe heqja e fondeve për ndonjë institucion tjetër, përballë të ardhmes së fëmijëve tanë. SHISH është një institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.

Ndreu: Duhet mbështetur institucioni me kërkesat…

Ministria e Financave i tërheq vëmendjen drejtorit ekonomik të SHISH-it, për mënyrën se si flet…

Salianji: Kujt i tërheq vëmendjen ti, përpara një komisioni të pavarur… as Parlamenti, e jo më ti që i tërheq vëmendjen një institucioni të pavarur…

Flamur Noka: Kjo është qeveri e krimit, (dhe pastaj largohet opozita)…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb