NGA SONILA MUSAJ*
TIRANË- Pas vjedhjes së 960 mijë eurove në një bankë në pistën e aeroportit në Rinas, prokuroria ka dërguar urdhër-sekuestrim të dokumentacionit të bankës së cilës iu grabitën paratë, si dhe kompanisë “Nazeri”, e cila siguronte transportimin e tyre.

Burime për “Gazeta Shqiptare” bëjnë me dije se hetimet janë përqendruar te mungesa e masave të sigurisë në aeroport, ndërsa bëhet e ditur se pritet të hetohet edhe policia, e cila një ditë para grabitjes doli publikisht në një deklaratë për shtimin e forcave shtesë në aeroport pas sulmit terrorist në Stamboll.

Sakaq, krahas zyrtarëve të policisë, burimet bëjnë të ditur se do të hetohen edhe përfaqësues të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Transporteve, pasi, edhe pse kanë konstatuar problematikë me sigurinë në aeroport, nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e tij. Në lidhje me mungesën e sigurisë në aeroportin e Rinasit shqetësim ka shprehur edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili në dy periudha të ndryshme ka njoftuar Ministrinë e Transporteve, Aviacionin Civil dhe Policinë e Rinasit.

Po sipas burimeve, bëhet e ditur se në një prej shkresave dërguar Ministrisë së Transporteve dhe Autoritetit të Aviacionit Civil, Shërbimi Informative Shtetëror (SHISH) bën me dije se në rrugë operative është njohur me përfundimet e testimeve të kryera në aeroport, dhe problematikat e konstatuara cenonin drejtpërdrejt sigurinë e aeroportit, duke e ekspozuar ndaj sulmeve me natyrë terroriste apo që kishin qëllim kryerjen e veprave të tjera kriminale. Letra e firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, është e klasifikuar si “sekret”.

Gjithashtu mësohet se SHISH-i u ka bërë me dije këtyre institucioneve se po kryen monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe që në ditët në vijim do të kërkojë një takim të posaçëm, e cila u realizua më 13 maj, me mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil. Sakaq, në lidhje me shtimin e masave të sigurisë dhe plotësimin e standardeve, SHISH-i u ka shkruar të njëjtave institucione edhe në vitin 2014.

Burime pranë hetuesve të çështjes shprehen se deri më tani nuk është gjetur asnjë provë tjetër përveç një parukeje dhe disa fijeve floku brenda saj, si dhe një bidoni plastik që dyshohet se ka qenë me benzinë, sende këto që janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku po i nënshtrohen ekzaminimit. Ndërkohë, Policia ka marrë në pyetje edhe disa prej banorëve të kësaj zone, por nga dëshmitë e tyre asnjë nuk ka arritur të shohë ndonjë lëvizje të grabitësve.

3 personat që kryen grabitjen spektakolare mesditën e 30 qershorit në pistën e aeroportit të Rinasit kanë qenë të maskuar dhe me paruke, dhe mundën që të hynin në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi kishin prerë menteshat e portës së jashtme, e cila ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë-Krujë. Nën kërcënimin e armëve, autorët e grabitjes arritën të merrnin shumën prej 960 mijë eurosh, para këto të cilat po transferoheshin me mjetet e SH.P.S.F. “Nazeri”, nga terminali drejt avionit.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: