Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet E. Sh, 17 vjeç dhe K. R., 17 vjeç.

Të njëjtat burime thanë se në Rrugën e Bogdanëve, shtetasi me inicialet E. Sh, u kap në flagrancë duke shitur doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat i siguronte nga shtetasi K. R, i cili dyshohet se ishte organizatori i kësaj veprimtarie.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë narkotike, e ndarë në doza, gati për shitje, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, dhe sende të tjera të kundërligjshme.

“Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. O, 22 vjeç, pasi në rrugën “Besim Imami” sapo ka parë prezencën e policisë, ka hedhur në tokë një qese transparente e dyshuar me lëndë narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. V, 31 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, sepse në rrugën “Mine Peza”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë bënë ndalimin e shtetasit E. B, 58 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”, sepse në fshatin Bërxullë, në shkelje të urdhrit të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4 bënë kapjen e shtetasit A. A, 21 vjeç, pasi me datë 15.08.2021, është shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Fushë-Krujë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Për veprime të mëtejshme iu kalua Komisariatit të Policisë Fushë-Krujë.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. B, 43 vjeç dhe D. G, 39 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Më datë 01.10.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit, E. C, 31 vjeç dhe H. K, 34 vjeç, pasi në rrugën “Skenderbeu”, Kamëz, kanë kanosur me fjalë shtetasin S. G.
Më datë 01.10.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit E. K, 31 vjeç sepse në rrugën ”Tre Dëshmoret”, në bashkëpunim me persona të tjerë (punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre) kanë goditur shtetasin G. Sh, 34 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Më datë 01.10.2021, në rrugën “Konferenca e Pezës”, dyshohet se nën ndikimin e pijeve alkoolike ka dëmtuar damarët e duarve, shtetasi F. L, 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.”, thuhet në komunikatën e policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb