TIRANE- Bankat duhet të krijojnë struktura të posaçme për shitjen e pasurive të përfituara si rezultat i mosshlyerjes së kredive.

Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, ku përcakton se bankat duhet të trajtojnë çështjen e pasurive të marra nga kolateralet me njerëz të specializuar brenda stafeve të tyre. Praktikisht, zhvillimet e viteve të fundit po e bëjnë administrimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme një aktivitet shtesë për bankat tregtare.

Ndryshimet në rregullore kanë ardhur si rezultat i shtimit të vlerës së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që bankat po mbajnë në bilance pasi ato nuk janë shitur dot në ankandet ligjore, pjesë e procesit të ekzekutimit të kolateralit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2015, vlera e pasurive të paluajtshme në bilancet e bankave kishte arritur në 22 miliardë lekë. Rregullorja e ndryshuar e Bankës së Shqipërisë ju lejon bankave t’i mbajnë ato në bilance deri në shtatë vjet, por duke llogaritur fonde rezervë mbështetur në vlerën kontabël të këtyre pasurive./ATA/
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: