Një lajm që trazon merkaton vjen nga Spanja, ku protagonistë janë Kylian Mbappe dhe Lionel Messi. Sipas “Mundo Deportivo”, Barcelona synon të nënshkruajë me sulmuesin francez në merkaton e ardhshme verore.

Në fakt, 24-vjeçari Mbappé, për të cilin nuk mjaftoi tripleta në finale për të marrë Kupën e Botës, nuk do të ishte i kënaqur me marrëveshjen e rinovimit të arritur nga PSG-ja me Messin, i cili ka dhënë shenja se dëshiron të qëndrojë në kryeqytetin francez.

Ndërkohë Messi nuk reagoi aspak kur shokët e ekipit të Argjentinës talleshin me kukullën Mbappe gjatë festimeve. Dhe i mërzitur edhe me sulmet e tifozëve të Real Madrid për shkak se ai nuk zgjodhi ekipin e tyre, Mbappe do të pranonte destinacionin e Barcelonës.

Një rol vendimtar do të luante politikani katalanas Manuel Valls, i cili në rolin e ‘ndërmjetësit’, do të merrej me ‘marrëveshjen’ me Emmanuel Macron, presidentin e Francës, që e kishte bindur Mbappenë të qëndronte në Paris në muajin maj. Për më tepër, marrëveshja mund të lehtësohet nga përfshirja e Ousmane Dembélé në negociata.

Tashmë PSG është kthyer në një fuçi baruti, ku nuk është vetëm Neymar kundër Mbappe, por duket se edhe Messi nuk e do më. Do të mjaftonte vetëm një shkëndijë për çarjen përfundimtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb