Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer sërish ndaj Presidentit Ilir Meta, teksa ka theksuar se ai fshihet pas protestave që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Me tone të ashpra, Rama akuzoi dhe liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, që sipas tij, nuk ka lidhje me protestat, por duhet të dilte e të thoshte publikisht se nuk merret pushteti në këtë mënyrë.

Sa i takon kërkesës së protestuesve për shkarkimin e kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kryeministri deklaroi se edhe nëse 500 mijë persona e kërkojnë një gjë të tillë, nuk do të ndodhë, pasi “Nuk vendoset në rrugë se kush ikën e kush vjen, por vendoset në bazë të çfarë është e drejtë”

“Edhe kur u ngritën kuksianët, edhe shumë më tepër se aq të ngrihen e të hidhen përpjetë, nëse nuk kanë të drejtë, nuk ndodh ta zmbrapsin qeverinë, për sa kohë unë do jem në krye të saj. Ne reflektuam, sepse të gjithë banorët e Kukësit kishin të drejtë. Qeveria kupton cila është e drejta dhe bënë gjënë e drejtë. Demokracia nuk është një sistem i përsosur. Curcill ka thënë që është sistemi më i keq, po të mos i llogarisim sistemet e tjera. Asnjë qeveri nuk e ka gjithmonë të drejtën me veten në çdo gjë që bën apo projekton, prandaj e drejta e protestës është e pacenueshme, por kjo nuk do të thotë që protestuesit kanë gjithmonë të drejtë. Aty ndahen qeveritë demokratike me qeverinë që nuk janë demokratike. Aty ndahet qeveria jonë me atë që kishim më parë.

Si mund të vihet në diskutim tani që nga rruga, jo këta, po sikur të ishin 500 mijë veta, të kërkojnë tani të ikë dhe drejtori i policisë? Nuk vendoset në rrugë se kush ikën e kush vjen, por vendoset në bazë të çfarë është e drejtë. Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht në tragjedinë që ndodhi, por sepse djalin e vrau arma e shtetit. Ishte e drejtë që ministri i Brendshëm të këmbëngulte që duhet të largohej, jo se kishte përgjegjësi në ngjarje, por sepse ishte e drejtë që mesazhi i pjesëmarrjes në dhimbjen e asaj familje të mos ishte vetëm me fjalë. Këto nuk janë bërë si rezultat i protestës, që të jemi shumë të qartë. Edhe unë po të mos isha kryeministër, do të kisha dalë në protestë, por jo në këto protesta, por në atë protestën e parë. Jo për t’iu hedhur në fyt policëve apo për të kapur kanatet e institucioneve e lëshuar gojën, por për të dëshmuar indinjatë qytetarisht. Qysh në momentin e parë ndaj ngjarjes është mbajtur qëndrimi më korrekt dhe më profesional, dhe sikur të mos ishin disa nga mediat, sigurisht që ngjarja dhe qëndrimi ndaj saj nuk do të ishin ndotur nga lloj-lloj marrëzish që janë shkruar. SHCBA ka marrë menjëherë përsipër atë që i takonte, sepse nuk mundej dot Policia e Shtetit të hetonte diçka që kishte ardhur si rezultat i veprimit ekstrem të një punonjësi. Autori jo vetëm u ndalua menjëherë, por doli dhe përpara gjyqit.

Atëherë çfarë kërkojnë këta? Duan të vazhdojnë ciklin e revolucionit imagjinar që ka dy vite që rrotullohet në rradaken e Metës e të Saliut? Mua më vjen keq për Bashën dhe është tjetër rast që provon se Basha është një lider pa pikë karakteri, sepse e di që ai s’ka lidhje me këtë që ndodh, por ai do duhet të dilte e të thoshte se këto janë të papranueshme dhe kjo nuk është rruga për të ardhur në pushtet. Por si gjithmonë ai është i papranishëm në momentin e duhur, në vendin e duhur, për të thënë gjënë e duhur. Kjo që ndodh nuk ka lidhje fare me zemëratat, por një tjetër akt i degradimit të Ilir Metës e Sali Berishës. Këta të dy janë pas asaj që ndodh në rrugë. Këtë e dinë edhe peshqit e Liqenit Artificial. Jam i bindur që të gjithë shqiptarët e dinë këtë, të majtë e të djathtë”, deklaroi kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb