TIRANË

Deputeti Myslim Murrizi foli në seancën plenare për shkarkimet në administratë duke bërë edhe një propozim konkret.

Pas raportit të veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2018, Murrizi i kërkoi maxhorancës ndryshime në ligj duke numëruar paratë e paguara për punonjësit e shkarkuar padrejtësisht nga administrata.

Ai kërkoi të ndryshohet në ligj që dëmshpërblimin ta paguajë ai që e shkarkon nga puna punonjësin, pra titullari i institucionit.

“Ka ardhur koha që statusi i nëpunësit civil që kaq shumë i përfolur duhet të redaktohet mirë, të shihet problemi në sy, të jetë një status i Republikës së Shqipërisë e jo të partisë politike të radhës që është në pushtet. Po të shohim shifrat janë marramendëse shuma e taksave të taksapaguesve shqiptarë që paguajnë si pasojë e dëmshpërblimeve që nëpunës fitojnë pas largimit nga puna.
Raporti i KLSH fliste qartë që 20 mln dollarë janë paguar nga taksat e qyt shqiptarë për punonjësit e larguar në mënyrë të padrejtë nga puna vetëm për vitin 2018. Prej 5 vitesh kanë paguar 100 mln dollarë dëmshpërblim të arrogancës së pushtetit. 100 mln dollarë nuk janë pak për një shtet që ka jo pak fukarenj e me 300 mijë të arratisur në azil. A duhet frenuar kjo arrogancë? Po, nëse keni vullnet duhet të bëni ndryshim në ligj dhe nuk duhet që titullari i institucionit që e quan veten pronar ta përdorë atë institucion si shpk sepse mbahet në këmbë me taksat e taksapaguesve shqiptarë.
Sikur të jetë në ligj që dëmin ta paguajë ai që e shkarkon nga puna, të jeni të bindur se kjo nuk do ndodhte në administratë kjo batërdi”, deklaroi Murrizi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb