TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla e ka mbështetur Ministrin në detyrë për Integrimin dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj në vendimin për shkarkimin e 20 diplomatëve në shërbimin diplomatik. Madje Balla u shpreh gjatë diskutimeve në Komisionin e Integrimit ku po raportonte Cakaj se 20 janë pak. Ai kërkoi që Ministria të sillte sa më shumë informacion në pritje të marrjes së vendimit për çeljen e negociatave.

“Duhet ta keni në praktikën tuaj se ky është komisioni që do keni punën shumë intensive në javët në vijim por jo vetëm kur ju kërkon komisioni por në frymën e ligjit duhet të jeni edhe ju i gatshëm t’i drejtoheni komisionit për konsultime. Ky është një proces që nuk mund ta kryejë vetëm qeveria por në bashkëveprim me Kuvendin e Shqipërisë.
Ky komision është një komision që drejtohet nga opozita, do vazhdojë të drejtohet nga opozita. Sa më shumë hapësirë për opozitën në këto procese konsultimi, aq më e mirë është edhe vendimmarrja. Ju lutem në mënyrë të vazhdueshme edhe me shkresa dhe informacion të mbahet i informuar komisioni. Ju lutem mos u komplesoni nga kritikat dhe sulmet që vijnë nga opozita, në formën më pozitive nga zonja Hajdari dhe më negative nga ish-deputetë për ndryshimet në trupën diplomatike. Mua më duken pak 20. Jemi larg shërbimit konsullor i cili tju shërbejë siç duhet motrave dhe vëllezërve tanë”, deklaroi Balla.

Ai i bëri thirrje ministrit në detyrë Gent Cakaj të mos kompleksohet nga kritikat por e këshilloi të sillte informacion për performancën e diplomatëve të shkarkuar.

“Mos u kompleksoni nga kritikat apo akuzat e padrejta nga opozita. Zonja Hajdari e ngriti me të drejtë si shqetësim për informacion. Të sillni një informacion emër për emër për performancën e tyre.
Shërbimi diplomatik duhet të jetë i hapur për ekselentët. Mezi ç’pres që ndonjë djalë apo vajza shqiptare që të mos jetë i biri apo e bija e një politikani por të jetë i biri apo e bija e një njeriu të thjeshtë që ka mbaruar shkëlqyeshëm e që flet disa gjuhë të huaja”, tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb