TIRANE – Publicisti Besnik Mustafaj bëri një analizë të situatës politike dhe të ngjarjeve të fundit në vend i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24.

Në lidhje me akuzat e opozitës ndaj Fatmir Xhafajt, Mustafaj tha, se duhen verifikuar nëse kanë lidhje drejtëpërdrejt me ministrin e Brendshëm, pasi me dokumentin ndaj të vëllait të tij nuk vërtetohet asgjë, shkruan BalkanWeb

“Opozita do të ketë denoncime të vazhdueshme e ndonjëherë dhe të zmadhuara, kjo është një politikë e bërë jo vetëm këtu. Mes akuzave që bëhen ndaj Tahirit dhe Xhafajt, ka një dallim. Kjo sepse për Tahirin, akuzat janë se është vetë i përfshirë. Gjërat duhet verifikuar në lidhje me akuzat ndaj Xhafajt. Se kështu bëhet i dobishëm dhe denoncimi. Dokuemnti që u paraqit tregon dënimin e të vëllait, nuk është ndaj Fatmir Xhafajt vetë.  Po bëhet një verifikim kompleks deri te brezi i dytë i gjyqtarëve, sepse jemi në një kohë vettingu,” u shpreh ai.

Përsa i përket shkarkimit të kryeprokurorit Besim Hadarmatajt, Mustafaj tha se kryeprokurorja e përgjithshme Arta Marku po punëson shoqet e saj personale.

“Një aspekt është se kryeprokurorja e përgjithshme nuk ka dhënë asnjë argument pas shkarkimit të prokurorit që heton Tahirin. Arta Marku po bën një gjë të papajtueshme me frymën që supozohet se do fusë reforma në drejtësi. Ajo po punëson shoqet e saj personale, njerëzit me të cilët ka lidhje emocionale. Kjo zhvlerëson parimësinë e këtyre lëvizjeve. Arsyeja e tretë lidhet me rezultatet me kryeprokuroren që po zëvendëson Hadarmatajt. Kemi një mori faktesh të tjera që tregojnë se kjo zonjë është profesionalisht e paaftë për të mbajtur barrë të mëdha,” tha Mustafaj.

Është kjo cështje sensitive dhe për ndërkombëtarët?

Kjo është një cështje sensitive edhe për ndërkombëtarët, por duhet paraqitur mirë tek ata. S’duhet ta bëjë qeveria. Ambasadori i SHBA-së foli. Nuk e dimë vlerësimin që do japin ndërkombëtarët. Nuk besoj se do kalojë pa analizë në kancelaritë europiane.

Rama nga një njeri jo-dëgjues i ndërkombëtarëve, është kthyer në njeri që i përdor ndërkombëtarët si mburojë. Ai vetë i drejtohet opinionit publik shqiptar dhe parlamentit me këtë gjuhë se nuk ka argumenta logjike e faktike që të hedhë poshtë akuzat e opozitës. Nuk ka si e mbron ministrin e vet.

Kërcënimet e opozitës se do të zbulojë skandale të qeverisë, sa ndikon kjo në negociata?

Nëse ka në themel të vërtetën, ndikon vetëm për mirë. Negociatat janë një proces që duhet të kalojnë vetëm përmes të vërtetës, jo nëpërmjet gënjeshtrës. Duhen inkurajuar të gjithë ata që thonë të vërtetën. Imazhi i opozitës bie nëse ajo nuk thotë të vërtetën. Nuk shkohet kështu drejt Bashkimit Europian. BE do gjykojë mbi të vërtetën. Rama që shpreson t’i justifikojë të këqijat e qeverisjes së tij me baltosjet ndaj opozitës, e ka shumë gabim se do mbërrijë në BE. Rama është: po je me mua, je i mirë, po je kundër meje, je shumë i keq.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: