Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ foli për shkarkimin e presidentit të Republikës Ilir Meta.

Gjatë bisedës në studio Nazarko analizoi disa nga skenarët për ‘betejën’ e presidentit Meta me Gjykatën Kushtetuese.

Analisti u shpreh se me qëndrimin e tij, presidenti Meta po tregon se Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk po funksionon, si dështimi kryesor i reformës në drejtësi.

‘Ka një rrafsh të parë analize: nga këndvështrimi teorik investimi i GJK është një mundësi për pasurimin e  të drejtës kushtetuese të vendit. Institucionet kryesore që përbëjnë shtetin janë të përfshirë në një përplasje ku janë angazhuar juristët më të mirë te vendit. Momenti i dytë është se  presidenca është duke zhvilluar një betejë që ka disa qëllime. Elementi i parë i betejës është që të tregojë koherencë me betejat e mëparshme politike dhe institucionale. Sepse konkretisht Meta po demonstron në mbrojtjen e tij se Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk po funksionon si duhet (mbarimi i mandateve; konflikti i interesave; vonesat në emërime, etj) Pra Reforma në Drejtësi i ka de-funksionalizuar institucionet kryesore në vend sipas mbrojtjes, atë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Po ashtu Meta është se nga kjo pedanë po përgatit kërcimin në terrenin e politikës. Momenti tjetër  është që mbrojtja e tij po krijon premisa për atë që është ankimimi i çështjes në Gjykatën e Strasburgut me argumentin e  mohimit të një drejte universale- mungesës së një procesi të rregullt ligjor. Momenti i fundit është taktik, për ta shtyrë gjykatën që të marrë sa më shumë kohë me shumë pyetje dhe pretendime. Mbase Presidenti do të donte që Gjykata ta shtyjë marrjen e vendimit derisa ai të mbyllë të plotë mandatin. Por dua të theksoj, por jo si çështje e parëndësishme se për herë të parë Gjykata po merret me shkarkimin e një presidenti, një precedent i paparë në historinë e institucioneve kombëtare, ndonëse kemi parë konflikte si ai i Kryeministrit Berisha me presidentet Moisiu dhe Topi, apo Rama dhe Nishani: kjo do ta cënojë imazhin e vendit si vend normal, dhe disa argumente që vlejnë për të drejtën tonë- si ai i zgjatjes së mandateve, etj, nuk vlejnë kur do të shqyrtohen në Gjykatën e Strasburgut. Pra, i gjej të drejta disa pretendime të mbrojtjes së Presidentit që kanë natyrë procedurale. Përkundër këtyre argumenteve të mbrojtjes, përkundër vullnetit të mbrojtjes së Metës për të marrë kohë,  Gjykata Kushtetuese po i përgjigjet me shpejtësi’, u shpreh analisti.

Gjatë bisedës Nazarko shpjegoi se largimi presidentit Meta me shkarkim, që konfirmohet në Strasburg do të thotë një pamundësi për rikandidim në një moshë te caktuar.

‘Në sintezë: një pjesë e argumenteve që ka ngritur mbrojtja e zotit Meta janë argument logjike dhe solide kushtetutshmërisht; beteja kushtetuese e mban presidentin Meta në nivel të lartë të përplasjes politike dhe ndërkohë i jep atij atë premisën për të hyrë i nxehtë në betejën politike të radhës. Nëse Gjykata Kushtetuese shprehet shpejt ndoshta ai mund të përfshihet në zgjedhjet e 6 marsit’, tha më tej analisti.

I ndalur tek koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, analisti tha ndër të tjera se midis dy grupimeve , apo subjekteve,  ka pasur një marrëveshje të hershme që ka shërbyer edhe për zgjedhjen e kandidatëve.

Koalicioni PD-LSI?

Nazarko:  De jure është koalicion LSI-PDK . Pra është LSI me disa kandidatë të PD. LSI ofron ombrellën legale, ama kandidatët janë demokratë, diçka qe tregon që midis dy subjekteve ka pasur një marrëveshje të mëhershme që ka shërbyer edhe për zgjedhjen e kandidatëve. Ajo që kuptohet është se LSI  bashkë me grupin e zotit Berisha, përballë Ramës janë dy faktorë të fortë, sepse janë në cep të ringut dhe do të bëjnë beteje për jetë a vdekje politike. Unë mendoj  ama që ne s’ jemi te dënuar të kemi dominim të skenës nga të njëjtët faktorë përballë Ramës. Mendoj se mund dhe duhet të jenë faktorë të rinj në lojë si kudo në Lindjen ish komuniste. PS ka treguar që i mund këta dy faktorë në rrethanat e mëparshme… Fakt është që beteja e këtij binomi përballë Ramës do të jetë e ashpër dhe loja politike në vend do të ekstremizohet nga dy faktorë të vendosur në kushte të një presioni të brendshëm, po ashtu edhe të jashtëm që është non-grata e zotit Berisha apo kërcënimi për zotin Meta. Për zotin Basha dhe subjektin e tij, në një kuptim është situatë e vështirë, por në një kuptim tjetër jo… Ai mund të luajë ndonëse zgjedhjet lokale kanë kontekst tjetër, luftëtarin e së resë, kundër trekëndëshit të Bermudës.  Zoti Basha nuk është duke luajtur plotësisht këtë shkëputje me të kaluarën, ka pasur disa shenja të shkëputjes, por mendoj që nuk e ka luajtur cilësisht. Ndërkohë për binomin Berisha- LSI, mund të themi se bashkimi i gjysmë molle me gjysmë dardhe nuk prodhon as mollë të plotë dhe as dardhë të plotë…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: