Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjet më “të nxehta” politike të ditëve të fundit, siç janë ajo e teatrit, nisma për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe mundësia e një pakti mes tij dhe Lulzim Bashës.

Duke u ndalur te përplasja me Ilir Metën, ai ka deklaruar se situata e tij është e rëndë, ndërsa referuar alarmit të Presidentit për tërmetin apokaliptik që mund të bjerë në Ballkan, kryeministri është shprehur me ironi se nxjerr një dekret dhe e shtyn.

“Situata e presidentit është e rëndë, nuk dua t’i shtoj më shumë vështirësi në perceptimin e realitetit. Tërmetin ai e ka shumë të thjeshtë, nxjerr një dekret dhe e shtyn”, ka thënë Rama.

Sa i takon teatrit, Rama ka shprehur me bindje të plotë se godina ekzistuese do të shembet, pasi sipas tij, gjitha debati që po bëhet është politik dhe mediokritet.

Për nismën për shkarkimin e Metës, kreu i qeverisë ka deklaruar se do të pritet raporti i Komisionit të Venecias për të marrë vendimin final, ndërsa për komunikimin me Bashën, u shpreh prerë se nuk ka pasur asnjë tentativë deri më tani.

Teatri …?
Me projektin e ri të Teatrit kërkojmë shumë më tepër fond nga privati për ta këmbyer me një territor që është mbrapa teatrit, që është një truall komplet pa lidhje. Muzeu do të jetë brenda godinës së re të teatrit. Këtu çështja është politikë, mediokritet dhe kapu pas asgjësë për të bërë zhurmë. Nuk kemi asnjë interes për të bërë zhurmë, nëse nuk kemi bindjen që e ardhmja ndërtohet sot dhe sot nuk mund të bëjmë diçka që të mos i vlejë të ardhmes. Nuk mund të jemi të gjithë dakord për të gjitha, nuk e presim këtë. Por shumica është e qartë.

Pse qeveria nuk pret vendimin e Kushtetuese për teatrin?
Nuk e presim dot tërmetin.

A ka komunikim mes jush dhe Bashës?
Jo, asnjëherë.

Nëse Venecia i jep të drejtë Metës për vendimmarrjen e tij, cfarë do ndodhë, a do ndërpritet procedura për shkarkimin e tij?

Ne e kemi çuar çështjen për trajtim nga Venecia, për ta bërë të qartë për të gjithë publikun dhe ndërkombëtarët. Do presim raportin e Venecias dhe do gjykojmë mbi bazën e raportit. Procesi vazhdon, nuk ishim të detyruar ta çonim në Venecia, por duke qenë se i besojmë ndërtimit të proceseve të konsoliduara dhe duke qenë se në këtë rast kemi mundësi t’i drejtohemi, ju drejtuam.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb