TIRANE – “Shkarkuam nga detyra ata që futën duart në xhepat e shtetit”. Kështu deklaroi, ministri i Drejtësisë Nasip Naço duke iu referuar vendimit për shkarkimin e 131 punonjësve të burgjeve, të cilët rezultonin debitorë prej vitesh në OSHEE.

“Unë besoj që është një masë normale. Nuk mund të konceptohet që punonjës të policisë së burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë apo të institucioneve të tjera në varësi prej vitesh të mos paguajnë energjinë elektrike. Po të shikoni të gjithë legjislacionin, ka të bëjë edhe me kodin etik të çdo zyrtari dhe unë besoj se të gjithë këta zyrtarë e kanë shkelur me të dyja këmbët kodin e etikës dhe për sa kohë që për disa vjet nuk paguajnë energjinë elektrike do të dalin jashtë sistemit. Eshtë çështje e kodit të etikës por dhe e besueshmërisë. ne nuk u kemi futur dorën në xhep atyre, ata kanë futur dorën në xhepat e shtetit. ”- deklaroi ministri Naço.

Pak ditë më parë, Ministria e Drejtësisë shkarkoi nga detyra 131 punonjës të burgjeve, të cilët kishin fatura të papaguara të energjisë që arrinin deri në 23 milionë lekë. Sipas Ministrisë, rreth 650 punonjës të burgjeve rezultojnë debitorë në OSHEE.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: