KOSOVË-Iniciativa qytetare Srpska ka deklaruar se vendimi i kryeministrit Isa Mustafa për ta shkarkuar nga detyra ministrin Aleksandar Jablanoviç është jodemokratik dhe se gjatë ditëve të ardhshme do të mbajë konsultime me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç dhe do të marrë vendimin për hapa të mëteshme.
“E konsiderojmë jodemokratik veprimin e Isa Mustafës që me presion të demonstruesve të ndërrojë ministrin të cilin, siç edhe ka thënë vetë, në Qeverinë e Kosovës e kanë sjellë votat e zgjedhësve serbë”, thuhet në deklaratën e kësaj iniciative të cilën e transmeton B92, përcjell Koha.net.
Në deklaratë theksohet se “trajnimet rrugore për disiplinim të bashkësisë serbe dhe të përfaqësuesve të tyre në institucionet kosovare nuk i kontribuojnë zhvillimit demokratik dhe punës në ndërtimin e bashkëjetesës së përbashkët.
“Shpresojmë se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa do të kuptojë seriozitetin e situatës dhe nevojën se në çështje të tilla të rëndësishme vendimet merren në bashkëpunim të ngushtë me bashkësinë serbe zëri i të cilës është po aq i rëndësishëm sa edhe zëri i atyre që protestojnë në rrugë“, përfundon reagimi.
Për largimin e Jabllanvoçit ka folur edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës nga radhët serbe Branimir Stojanoviç.
“Gjatë dy ditëve të ardhshme do të konsultohemi me të gjithë ata që formuan IQ Srpska, në emër të cilëve ne dhe me vullnet të zgjedhësve tanë jemi në institucionet e Kosovës”, ka thënë Stojanoviç duke shtuar se për këtë do të bisedohet me Vuçiçin dhe pastaj do të merren vendimet.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb