Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nisur konferencën për shtyp duke komentuar vendimin e Kuvendit për ta shkarkuar nga detyra.

Meta thotë se është përpjekur të qëndrojë larg asaj shfaqje, duke theksuar se është e qartë që Kuvendi kërkon të heqë vëmendjen nga hetimi dhe zbardhja e krimeve zgjedhore dhe spostuar vëmendjen etk fajtorë që nuk ekzistojnë.

Ai shton se zgjedhjet nuk kanë mbaruar, dhe të gjithë duhet të jenë të lumtur që po kalohet nga epoka eparlamentit monist në pluralizmin politik parlamentar.

‘’Pas 25 prillit se e kam vënë re që jeni të mërzitur, natyrisht ka shumë arsye për çdo për të qenë i lumtur, duhet të jemi të kënaqur që po kalojmë nga epoka e para 25 prillit, e parlamentit monist, në një epokë ose po rikthehemi në pluralizmin politik parlamentar, pavarësisht se zgjedhjet ende s’kanë përfunduar, duhet të durojmë, derisa të përfundojnë proceset e ankimimit.

Përderisa ka patur kërkesa për vlerësime, për intervista, konsiderata lidhur me shfaqjen më të fundit të parlamentit monist, ju e dini që jemi përjekur të qëndrojmë larg asaj shfaqje, se ka qenë e qartë për të hequr vëmendjen nga hetimi dhe zbardhja e krimeve zgjedhor e për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë.

Pa e zgjatur shumë po ju theksoj gatishmërinë time, edhe pse Kuvendi ka qenë i shkarkuar që në 25 prill, për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqje brenda afatit ligjor që ishte data 10 maj, dhe për të cilën i lajmërova, që e refuzuan. E kishin me diktat që Presidenti duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh me ministren e Austrisë apo Presidentin e Sllovenisë për tiu nënshtruar tekave. ‘’- tha Meta.

Deklarata e plotë:

Mirëserdhët në epokën e pluralizmit politik të pas 25 prillit, sepse kam vënë re, që ka shumë të mërzitur.

Natyrisht, nuk mendoj, që ka shumë arsye për cilindo, që të jetë i lumtur, por  të paktën duhet të jemi të kënaqur, për faktin se nga epoka e para 25 prillit e Parlamentit monist,  po rikthehemi në epokën e pluralizmit politik parlamentar, pavarësisht se zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar dhe duhet të jemi të duruar derisa të përfundojë i gjithë procesi i ankimimit sipas Kodit Zgjedhor në fuqi.

Për shkak se në këtë periudhë kam pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana juaj për intervista dhe konsiderata të miat lidhur me shfaqjen më të fundit të Parlamentit monist, ju e dini, që jam përpjekur të qëndroj larg asaj shfaqjeje, sepse ka qenë e qartë se ka qenë e ndërtuar për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre, si dhe për të spostuar vëmendjen tek fajtorë që nuk ekzistojnë.

Edhe pse Parlamenti ka qenë i shkarkuar që më  25 prill, ju e dini gatishmërinë time për të takuar iniciatorët e kësaj shfaqjeje, brenda afatit ligjor, që ishte data 10 maj, kërkesë kjo e bërë nga ana ime, që u refuzua prej tyre.

Ata e kishin me diktat, që Presidenti i Republikës duhet të linte takimin e planifikuar prej 10 ditësh, sipas Protokollit të Shtetit, me Ministren e Jashtme të Austrisë dhe me Presidentin e Sllovenisë, për t’iu nënshtruar tekave të Parlamentit të 120 deputetëve.

Atëherë, fillojmë me pyetjen: Kush e përfshiu Presidentin në fushatë, në datë 10 mars 2021? (Shfaqet video dhe foto)

Këto janë edhe billboard-et e vendosura në të gjithë Shqipërinë ku është edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Të jeni të sigurt, që këto, nuk i ka vendosur as Presidenti dhe askush nga opozita, pasi siç e dini, pushtetin vendor në të gjithë territorin e vendit, e kontrollon vetëm një parti, por edhe Policinë e Shtetit, si dhe të gjitha institucionet e tjera.

Kjo “përfshirje”, një fakt, që e kanë parë të gjithë kudo, është denoncuar sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor është denoncuar edhe në Prokurori, pavarësisht se ende nuk kemi ndonjë të dhënë nëse është ndaluar dikush, që ka bërë një veprim të tillë tërësisht të paligjshëm, përveçse dhe shumë të kushtueshëm sepse këto billboard-e kushtojnë shumë.

Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur!

Nuk po japim shfaqje se çfarë është thënë kundër Presidentit, por është e tepër e qartë se të gjitha shqetësimet e Presidentit u verifikuan.

Do të ishte mirë të kishim patur zgjedhje model, por e dinë shumë mirë të gjitha ata që duan ta dinë, se Presidenti ka bërë çdo përpjekje për të parandaluar degradimin e standardit të zgjedhjeve.

Është për të ardhur keq, që numri i denoncimeve të krimeve zgjedhore, para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve është shumë herë më i lartë se sa në vitin 2017.

Kjo ka ndodhur për shkak të mos-hetimit të dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut, jo vetëm kaq.

Por edhe për shkak edhe të sfidës, që është bërë publikisht, për të përsëritur “tërmetin” e Dibrës edhe në Vlorë, kuptohet edhe në të gjithë Shqipërinë.

Nuk kam asnjë shqetësim nga akti dëshpërues i Parlamentit të shkarkuar më 25 prill.

Unë pres me shumë qetësi dhe durim, përfundimin e të gjithë procesit të ankimimeve dhe do të bashkëpunoj me shumicën e re, kushdo që do të jetë, edhe me opozitën e re në Parlamentin e ri, gjithmonë në respekt të Kushtetutës, të procesit të integrimit europian dhe të rivendosjes së sistemit të llogaridhënies,  hap pas hapi, në të gjitha nivelet.

Janë të gjitha mundësitë, që kjo të fillojë të ndodhë në Kuvendin e ri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb