TEPELENE- Pas drejtorit të burgut të Drenovës, një tjetër drejtor është shkarkuar. Drejtoria e Pergjithshme e Burgjeve njofton, se dje është shkarkuar nga detyra Drejtori i IEVP Tepelenë (Bënçë), Avni Sula. Masa është dhënë pas një inspektimi të kryer së fundmi në këtë institucion dhe shkeljeve të konstatuara nga grupi i inspektimit të DPB. Shkarkimi u bë me motivacionin “Shkelje në detyrë” të kryera nga ana e drejtorit Sula, në menaxhimin jo të duhur të punës në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Bënçë, Tepelenë.

Shkarkimi vjen një ditë pas mbledhjes së thirrur nga Ministri i Drejtësisë me të gjithë drejtuesit e sistemit të burgjeve, ku mes të tjerash Ministri u kërkoi atyre shërbim me transparencë, në të kundërt masa të ashpra do të merreshin ne vazhdim. Ai u kujtoi drejtuesve, se nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel ligjin dhe se për këtë ka mbështetjen e kreut të Qeverisë Shqiptare dhe kreut të Parlamentit.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, theksoi në fjalën e tij gjatë mbledhjes, se monitorimi i burgjeve do të intensifikohet më tej, ndaj zbatimi i detyrave duhet të mos neglizhohet nga askush dhe për asnjë arsye.

Pak ditë ma parë, ministri i ri i Drejtësisë, Ylli Manjani firmosi shkarkimin e drejtorit të Burgut të Drenovës, Laert Çeliku.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb