TIRANË

Shkarkohet kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro. Burime për News24 bënë me dije lajmin dhe se në vend të Qendros do të jetë ish-ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato.

Qendro ka qenë një nga emrat e përfolur kohët e fundit, pas shpërthimit të skandalit me “DH Albania”. Ndërkohë dje, drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci dha dorëheqjen, sërish pas një skandali lidhur me “DH Albania”. Kjo pasi kjo firmë mori tenderin prej 12 mln eurosh për një linjë energjitike. Pas daljes së fakteve, tenderi u anulua.

Më 16 janar, Kreu i ARRSH, Afrim Qendro ka dëshmuar për rreth 2 orë në Prokurorinë e Tiranës për marrjen e tenderit nga kjo firmë me dokumente të falsifikuara. Qendro ka mohuar kategorikisht se ka shkelur ligjin për tenderin dhe është shprehur para trupit gjykues se ka zbatuar vetëm ligjin.

Skandali me kompaninë Dunwell Haberman, nisi me shpalljen fituese për ndërtimin e një pjese të Unazës se Madhe, por aktiviteti ndërtimor i kësaj kompanie u pezullua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pas publikimit të dokumenteve, në emisionin “Të paekspozuarit” në News24.

Sipas të dhënave të siguruara në faqen e Agjencisë së prokurimit publik, Operatori i Sistemit te Transmetimit i kishte dhënë kompanisë DH ALBANIA, një tender me vlerë 11 milionë euro (1 miliarde e 447 milionë lekë).

Bëhet fjalë për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë këtij viti. Sipas dokumenteve të siguruara nga Agjencia e Prokurimeve Publike, tenderi është zhvilluar në nëntor dhe Dunwell Haberman Albania e ka fituar atë me 100 për qind të vlerës limit. Më konkretisht, sipas dokumenteve të APP, fondi limit për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi ishte përcaktuar 1 miliardë e 447 milionë lekë dhe po me këtë çmim është fituar nga DH Albania.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb