SHBA

Sekretari në detyrë i Marinës Ushtarake amerikane Thomas Modly ka paraqitur dorëheqjen përmes një letre drejtuar Sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper.

Njoftimi vjen sipas një zyrtari që foli në kushte anonimiteti para se çështja të njoftohej zyrtarisht. Zyrtari tha se zoti Modly po ashtu i kishte thënë ekipit të tij se do të jepte dorëheqjen.

Zoti Modly pati krijuar një polemikë të brendshme duke pushuar nga puna kapitenin e areoplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt” javën e kaluar, duke thënë se kapiteni Brett E. Crozier tregoi “një gjykim jashtëzakonisht të dobët” duke shpërndarë gjerësisht një email që bënte thirrje për ndihmë urgjente lidhur me shpërthimin e COVID-19 në bordin e anijes së tij.

Zoti Modly më pas kishte shkuar në anijen e ankoruar në portin e Guamit ku mbajti një fjalim para ekuipazhit. Ai e kritikoi ashpër kapitenin Crozier, duke thënë se ai ishte ose “shumë naiv, ose shumë budalla”, për të qënë në krye të një aeroplanmbajtëseje. Mbrëmjen e së hënës, me insistimin e Sekretarit Esper, zoti Modly kërkoi falje publike. Ndërkohë në Kongres u shtuan thirrjet mes demokratëve për dorëheqjen e tij.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb