ITALI- Policia italiane ndërmori sot një aksion në Pavia, ndërsa goditi bandën kriminale të njohur nga të gjithë ‘Camorra’. Mediat italiane raportojnë se pas korrikut të kaluar, të paktën 20 urdhër-arreste janë lëshuar sot për anëtarë të kësaj bande, të cilët akuzohen për trafik droge, trafik armësh, plaçkitje si dhe për shpërthime me eksploziv. Në operacionin policor morën pjesë 100 policë. Sakaq, thuhet se kjo bandë kriminale kishte rivale një tjetër grup, i përbërë nga shqiptarë, ndërsa i kishin shpallur luftë njëri-tjetrit për dominin të tregut të drogës.

Gjatë korrikut të 2016-ës u arrestuan 45 persona. Pavarësisht goditjeve që iu bën bandës, ajo sërish kishte nisur fuqishëm aktivitetin e saj kriminal në Pavia dhe zonat përreth. ‘Corriere’ shkruan se disa pjesëtarë të ‘Camorras’ kishin arritur deri aty sa të tregonin impresionet e tyre dhe në një këngë rap, duke e postuar në Youtube. “Nëse je ende gjallë, është vetëm se e lejoj unë”, thuhet në këngën ‘St.Rada’ që flet për armë në brez dhe që nga viti në vit fuqia e anëtarëve të bandës rritet.

Lufta me shqiptarët
Armët në veçanti ishin arsenal “i gatshëm” që përdoreshin dhe gjatë përleshjeve me një grup kriminal shqiptarësh, tashmë dominues në qytet për trafikimin e drogës. Gjatë hetimeve të policisë u provua se banda e shqiptarëve ishte e shtrirë jo vetëm në Pavia, por dhe në vendet e tjera, si Gambolò, Garlasco dhe Mortara. Po ashtu, mediat italiane theksojnë faktin se anëtarë të “Camorra”-s kishin blerë armë tek shqiptarët. Grupi kriminal që kontrollonte kontrabandën e kokainës dhe marijuanës në qytet përbëhej nga rreth 40 njerëzve, mes tyre furnizuesit, organizatorët, tregtarët me shumicë dhe “ushtarët” për shitjet me pakicë. Ndër të tjera thuhet se dy ishin pikat kryesore të furnizimit me drogë, një në Santa Maria La Versa, që drejtohej nga një shtetas shqiptar, i cili shtirej si sipërmarrës, dhe tjetri në Novarese, në duart e një ortaku të familjes së tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb