Një organizatë e madhe kriminale e trafikut të heroinës dhe metadonit është shkatërruar në zonën e Atikës, në Greqi. Nga aksioni janë arrestuar 48 trafikantë të kësaj organizate, mes të cilëve edhe gjashtë drejtuesit kryesor të bandës, ndërsa u konfiskuan mbi 16 kg metadon i lëngshëm, heroinë dhe prova të tjera.

Siç raportojnë mediet greke, tre prej gjashtë drejtuesve të bandës ishin shqiptarë, përkatësisht dy burra dhe një grua, të moshës 38, 69 dhe 23 vjeç, si dhe tre grekë, dy burra dhe një grua, të moshës 47, 51 dhe 33 vjeç.

Gjithashtu, të arrestuar si pjesë e organizatës kriminale janë edhe 42 persona të tjerë, të lidhur me aktivitetin kriminal të trafikut të heroinës. Sipas prokurorisë, drejtuesi i kësaj bande është 38-vjeçari shqiptar, i cili furnizonte grupin me metadon dhe heroinë, dhe që më pas e shpërndanin dhe trafikonin në Atikë dhe Chania.

Një bashkëpunëtore e drejtpërdrejtë e 38-vjeçarit dhe “arkëtare” e organizatës ishte 33-vjeçarja greke, e cila i mori paratë nga tregtia e drogës nga trafikantët, duke i depozituar në një llogari bankare në emrin e saj.

Shqiptari 69-vjeçar ishte përgjegjës për ruajtjen e drogës, ndërkohë që 23-vjeçari shqiptar ishte përgjegjës për transportin e drogës nga Athina në Kretë, ndërsa dy grekët e arrestuar, 47 dhe 51 vjeç, ishin përgjegjës për magazinimin dhe trafikimin e drogës në Chania.

Deri më tani, janë identifikuar më shumë se 250 raste të trafikut të drogës nga anëtarët e organizatës, të cilat vlerësohen se kanë dhënë fitime shumë të konsiderueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb