Policia spanjolle ka shkatërruar një grup kriminal që ka kryer qindra plaçkitje në shtëpitë në provincën e Gironas, ku kanë marrë para, stoli dhe pajisje elektronike.

Janë gjashtë të arrestuar me origjinë shqiptare dhe ekuadoriane, por edhe një grua. Policia e Barcelonës dhe Badalonas, të cilët po hetojnë krimet e grupit kriminal thotë se ata kanë kryer 102 grabitje me forcë në banesa.

Mediat vendase kanë dhënë detaje nga operacioni duke zbuluar dhe mënyrën e funksionimit të grupit. Ato shkruajnë se grupi ishte i përgatitur fizikisht.

Zëvendësprokurori Carles Martinez i Divizionit të Hetimeve Kriminale (DIC) shpjegoi këtë mëngjes se grupi kriminal ishte shumë i specializuar dhe se “modus operandi” i tij kërkonte një përgatitje të madhe fizike. Në fakt, siç u theksua gjatë vitit të hetimit, ata përgatiteshin, duke shkuar në male, ndër të tjera.

Pikërisht pas disa grabitjeve vitin e kaluar policia evidentoi të njëjtën skemë të përdorur, çka vërtetoi dyshimet se ishte e njëjta dorë.

Skuadra Mossos u vu në ndjekje të tyre por arrestimi ishte i vështirë pasi autorët përdornin automjete të ndryshme për të kryer vjedhjet me të cilat lëviznin në Katalunja duke përdorur teknika për t’i shpëtuar policisë. Shtëpitë e zgjedhura ishin ato që dukeshin të shtrenjta dhe pranë zonave të pyllëzuara ku mund të fshiheshin dhe të ishin në gjendje të iknin pa ngritur dyshime. Por autorët nuk shfaqeshin asnjëherë para ngjarjes në vendin e grabitjes. Martinez tha se ata e studionin secilën shtëpi dhe hynin pothuajse pa dëmtuar, ose më së shumti të detyruar thyenin një dritare ose hapnin derën me një kaçavidë.

Pavarësisht se ishte një grup prej dhjetë personash, plaçkitjet gjithmonë i kryenin në grupe prej tre vetash: njëri priste në makinë larg shtëpisë në fjalë dhe dy të tjerat plaçkitnin në shtëpi kur nuk kishte asnjë të pranishëm, gjithmonë në muzg.

Oficerët e policisë kanë sekuestruar bizhuteri, karta SIM, telefona dhe pajisje elektronike, si dhe mjete dhe rroba të përdorura për vjedhje.

Më 27 qershor, të arrestuarit dolën para gjykatës e cila vendosi të lërë në burg gjashtë prej tyre dhe liroi dy të tjerë, edhe pse hetimi është ende i hapur dhe arrestimet e mëtejshme nuk janë përjashtuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb