Një operacion ndërkombëtar antidroge, i realizuar nga Guardia di Finanza, DEA amerikane dhe policia kolumbiane ka vënë në pranga 144 persona. Sipas mediave italiane, janë sekuestruar 11 tonë kokainë, e cila nëse do të arrihej të tregtohej do të sillte një fitim prej 3 miliardë eurosh.

Operacioni i koduar “Dy detet” ishte koordinuar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias në Kalabri. Në krye të këtij trafiku ishin vëllezërit Franco dhe Giuseppe Cosimo Monteleone, figura të njohura të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe të familjeve mafioze kalabreze.

Sipas hetuesve, fakti që narkotrafikanët nga Amerika Latine qëndronin dhe operonin në Itali tregon se “Ndrangheta vijon të ketë lidhje ndërkombëtare dhe të operojë edhe në vende të tjera të botës.”

Trafikantët e drogës operonin në Kolumbi, Kosta Rika, Panama, Meksikë, Brazil, Lima, Venezuelë, Ekuador dhe në Republikën Domenikane. Hetimet e kryera në Amerikën e Jugut çuan në arrestimin e 111 personave dhe zbulimin e 7 laboratorëve. Ndërsa 33 persona u arrestuan në Itali dhe Kolumbi.

Mësohet se 22 personat që u arrestuan në Kolumbi janë anëtarë të organizatës terroriste “Ushtria për lirinë kombëtare”, e cila është përgjegjëse për disa vrasje, grabitje me dhunë e pengmarrje. “Ushtria për lirinë kombëtare” është një ndër kartelet më të rrezikshme të eksportit të lëndëve narkotike në Kolumbi.

Kjo organizatë terroriste garantonte sigurinë e transportit të kokaines nga laboratorët, deri në vendet ku do të tregtohej.  Kokaina ngarkohej në anije tregtare ose peshkarexha të shpejta dhe nga Kolumbia nisej drejt Kosta Rikës, Panamasë, Republikës Domenikane dhe në fund shitej në Europë ose në SHBA.

Detajet e operacionit u bënë të ditura në një konferencë të drejtuesve kombëtarë të antimafias dhe antiterrorizmit në Romë, ku ishte i pranishëm edhe prokurori kombëtar i antimafias Franco Roberti dhe përfaqësues të Guardia di Finanza-s, DEA-s amerikane, policisë kolumbiane dhe të Dcsa-së.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: