Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ushtroi auditim financiar dhe përputhshmërie në Bashkinë Dibër, duke i kushtuar vëmendje çështjeve që lidhen me prokurimet publike, menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm, të ardhurat dhe buxhetin, si dhe pasqyrat financiare për vitet 2018-2020.

Nga auditimi i ushtruar u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish që lidhen me procedurën e prokurimit me objekt “Blerje artikuj ushqimorë për nevojat e kopshteve dhe çerdheve të Bashkisë Dibër për vitin 2018”, të cilat përmes veprimeve të kryera bien në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Gjithashtu janë konstatuar veprime të tjera të kundraligjshme që lidhen me falsifikimin e dokumenteve dhe hyrjen e paautorizuar kompjuterike, me pasoje cënimin e ligjshmërisë së kësaj procedure prokurimi, si dhe të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve ose subjekteve pjesëmarrëse.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) kallëzimin penal për dy punonjës të Bashkisë Dibër, për veprat penale: “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal; “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike” parashikuar nga neni 192/b i Kodit Penal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: