ELBASAN- Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve vendosi sot të pezullojë aktivitetin e Shoqërisë “Kurum internacional” Sh.a në qarkun e Elbasanit, deri në zbatim të detyrave të lëna në Raportin Përfundimtar të Inspektimit, dorëzuar edhe shoqërisë.

Vendimi vjen pas një monitorimi disamujor të veprimtarisë së kësaj shoqërie gjatë të cilit janë konstatuar shkelje dhe mungesë dokumentacioni.

Nisur nga shkeljet që janë vënë re gjatë inspektimit të aktivitetit të Shoqërisë “Kurum internacional” Sh.a, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve ka vendosur gjithashtu sanksion administrativ në masën 1 milionë lekë të reja, parashikuar në pikën 4 të nenit 62 të ligjit nr 1046.

Kryeinspektori Ergys Agasi shprehet se “Masa e pezullimit ndaj kompanisë do të ndërpritet vetëm pas plotësimit të të gjitha kërkesave ligjore nga ana e kompanisë si dhe pas vlerësimit që do të bëhet nga Ministria e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve në përputhje me procedurat dhe me afatet ligjore”.

Inspektorati i ka lënë kompanisë detyrat për zbatim deri në datën 20.05.2015. Brenda kësaj date “Kurum” duhet të dorëzojë në Ministrinë e Mjedisit dhe në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe të Pyjeve:

  1. Planin e përputhshmërisë sipas përcaktimeve në Shtojcën 10 të ligjit 10.448 datë 14.07.2011 “Për lejet e mjedisit” të ndryshuar.
  2. Planin e Menaxhimit të Mbetjeve ku të përcaktohen të gjitha llojet e mbetjeve, sasitë dhe cikli i trajtimit deri në asgjësimin përfundimtar, në të cilin duhet të përfshihen edhe masat, afatet si dhe investimet që duhet të kryhen nga ana e shoqërisë për trajtimin e të gjitha mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti.
  3. Planin e detajuar të monitorimit si pjesë e lejes mjedisore dhe instrumenteve të inspektimit mjedisor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb