Legjionarët kuqezi, pjesa më e madhe që aktivizohet në Serie A, zbritën në fushë si titullarë, gjithashtu ishin protagonistë me ekipet e tyre. Kristjan Asllani ishte lojtari më i vlerësuar, nota 7 pas barazimit 1-1 që Empoli arriti kundër Salernitanës:

“Asisti për Cutrone tregon qartësisht rritjen e tij. Luan më shumë qetësi pavarësisht moshës së tij të re”. Me notën 6 u vlerësua Nedim Bajrami, i hedhur si zëvendësues me fillimin e pjesës së dytë.

Me notën 6 u vlerësua edhe Rey Manaj pas fitores me përmbysje kundër Udineses: “Lufton si luan, bën praktikisht i vetëm repartin e sulmit, nuk dorëzohet për asnjë top duke mbajtur skuadrën e tij lart. Nuk ka shumë raste për shënim, por është thelbësor për skuadrën e Thiago Motës. Mëkat për penalltinë e humbur, e meritonte një gol”, shkruajnë mediat italiane.

Me notën 6 u vlerësua edhe Berat Gjimshiti pas sfidës kundër Milan: “Në pjesën e parë ishte i kujdesshëm, në fundin e së cilës rrezikoi të shkaktonte një penallti pas ndërhyrjes ndaj Giroud”.

Me 6,5 u vlerësua Etrit Berisha këtë javë teksa rezultoi përcaktues në fitoren 0-1 që Torino siguroi në transfertë përballë Verona: “Tashmë është e qartë, është ai zgjedhja e parë për trajnerin Juric, ia shpërbleu me disa pritje të mira. E bukur pritja ndaj Lazovic në fundin e pjesës së parë”.

Legjionari më pak i vlerësuar këtë javë ishte Marash Kumbulla, nota 5,5, u zëvendësua nga Mourinho me fillimin e pjesës së dytë në sfidën ndaj Venezia-s.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb