Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka analizuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama pas fitores që siguroi në zgjedhjet e 25 prillit.

I ftuar në studion e ‘News24’ përballë gazetarit Sokol Balla, Hajdari tha se fjalimi i Ramës ishte i përmbajtur. Mes të tjerash ai tha se me këto numra mandatesh që ka marrë PD-ja në këto zgjedhje do të ketë ndikim të madh në Parlament.

“Fjalimi i zotit Rama ishte i përmbajtur. Bashkëpunimi me opozitën mund të funksionojë në dy drejtime. Një është; një bashkëqeverisje që është përfolur, mes PS dhe PD për të cilën jam kundra. Ndërkohë që është shumë fisnike që PD të bëhet më në fund modeli i të bërit opozitë. Në të shkuarën e afërt është partia e cila ka dhënë mesazhe jo demokratike me braktisjen që i bëri parlamentit. Nëse njerëzit që shkojnë deputetë, shkojnë për të përfaqësuar publikun, dhe shkojnë për të marrë ato benefite, se shoh deputetin me ndonjë diferencë të madhe, qoftë në maxhorancë apo në opozitë. Me këto numra që ka krijuar PD, me Bashën apo jo, ka goxha ndikim në Parlament.”, pohoi ai.

Duke u ndalur tek qëndrimi i Bashës pas humbjes, Hajdari tha se kreu i PD-së duhet të pranojë humbjen.

“Qëndrimi dinjitoz i Bashës është që të pranojë humbjen. Të bëjë punë paqëtuese për partinë e vetë. Lista e PS do të thyhet jo vetëm nga liderët dhe drejtuesit politikë që u vunë në fund, siç është rasti i Ballës apo i Ruçit, apo i Klosit. Por do të ketë thyerje dhe për rastin e Tiranës. Rëndësi ka numërimi i votave tek lista e PD dhe aleatët, pasi kanë nisur kontestimet brenda partisë. Atë që se bëri zoti Basha për të ‘vrarë babën’, e bënë qytetarët.”, -pohoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: