Ish- prokurori dhe konstitucionalisti, Shkëlqim Hajdari i ftuar në rubrikën “Opinion” në në News24 e vlerësoi si hap të madh krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai tha po ashtu se brenda janarit kjo Gjykatë do të ketë edhe anëtarin e saj të shtatë.

“Shqipëria s’mund të rrinte më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese. Gjatë kësaj kohe e panë Kushtetuesen si ndeshje futbolli, u ndanë palët në dy ekipe. Pavarësisht se analistët mendojnë që rezultati është 4 me 3 në favor të një skuadre, rëndësi ka që gjyqtarët të dalin mbi interesat e çastit”,- tha Hajdari.

Sipas tij, kjo arritje i faturohet në radhë të parë ndërkombëtarëve, veçanërisht SHBA.

“SHBA dhe BE kanë investuar për reformën në drejtësi padyshim ambasadorja Kim ishte violina e parë, pastaj vijnë edhe vendet e tjera. Bërja e saj eficente është një hap i madh, ka para çështje të ankimuara pa u bërë ende funksionale. Në të ardhmen do shohim se këta njerëz që kanë kaluar në disa filtra nuk janë më të mirët. Shqipëria ka edhe të tjerë më të mirë, pavarësisht se u penguan. Kushtetuta është e lexueshme. Unë besoj tek njerëzit që kanë anën morale dhe pavarësinë, distancimin nga politika. Ne juristët pak diferenca kemi, ne ndahemi se kush është i zoti për të dhënë drejtësi, mund të jetë njëri i aftë, por jo për të arsyetuar kulisa”,- vijoi Hajdari.

Ndër çështjet e para që kjo gjykatë pritet të marrë në shqyrtim, për Hajdarin është Kodi Zgjedhor.

“Listat u deklaruan të hapura, por nuk janë të hapura, kanë sërish përplasje. Kushtetuta e përcakton që janë të hapura por i lë mundësinë një subjekti që 1/3 ta mbajë të mbyllur, ose 100% të hapur.

Kodi Zgjedhor mendoj që do jetë një nga shqyrtimet e para të Gjykatës Kushtetuese, nëse vërteton që ky kod bie ndesh me kushtetutën në 25 prill do kemi garë. Brenda 6 muajsh plotësohet numri 9 i Gjykatës së Lartë, Ndërkohë që SPAK ka filluar funksionimin. Fundi i janarit e gjen BKH të plotësuar. 6 mujori i parë që ne mbyllim e gjen vendin me GJK, Gjykatë të Lartë, SPAK dhe Byro Kombëtare të Hetimit që përgatite të dalë në det të hapur për të goditur korrupsionin në Shqipëri.

I pyetur se kur do të kapen të ashtuquajturit peshq të mëdhenj”, Hajdari u përgjigj: “Kur të ringrihet demokracia. Pas këtyre zgjedhjeve të bëhet temë dite balancimi dhe ndarja e pushteteve jashtë ndikimit të krimit dhe korrupsionit, kur t’i bëjmë KQZ jo me komisione politike, kur në votime të marrin pjesë 50% e shqiptarëve që nuk besojnë, kur gjysma e elektoratit jashtë shtetit të japin votën e tyre, kur të përjashtojmë nga ndikimi i prodhimit të deputetëve segmentet e krimit. Edhe presidenti të zgjidhet nga populli. Do shohësh se atëherë do ketë peshk të bollshëm, do jetë edhe i madh”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb