Ish-lojtari i Kombëtares dhe aktualisht në rolin e analistit sportiv, Shkëlqim Muça, është treguar i ashpër ndaj përfaqësueses shqiptare në analizën e tij që i ka bërë sfidës së djeshme ndaj Spanjës në TVSH.

Shkëlqim Muça

“E kisha parë këtë ndeshje. Ekipi ishte jashtë pritshmërive. Kemi bërë një ndeshje shumë të dobët, sepse Spanja na imponoi lojën. Nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Ndoshta zgjedhjet e trajnerit. Mbase mënyra se si e kishte menduar stafi me lojtarët. E vetmja mënyrë për të marrë frymë është që të mbanim topin. Nuk kemi bërë asnjëherë tre pasime.

Ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta, por mbetemi brenda objektivave. Një rezultat i tillë konsiderohet normal për ne. Gjithsesi, duhet të na bëjë që të jemi me këmbë në tokë sepse jemi skuadër shumë e vogël. Nëse do të na shihnin për herë të parë, nuk do ta besonte që do të ishim në Europian. Spanja e qarkullon shumë topin.

Ka lojtarë fizikisht shumë të fortë si Koke dhe Alkantara që të bëjnë presion çdo moment. Ata shkojnë shumë afër topit për të bërë presion. Loja që bëmë ne është e imponuar për shkak të kundërshtarit. Ndoshta loja ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që do të kërkonim direkt me topa të gjatë për të kaluar në sulm. Megjithatë, në këtë mënyrë, kundërshtari e kontrollonte shumë lehtësisht sepse Bakaj ishte vetëm. Nuk duhet të jetojmë me mendimin që kemi qenë në Europian.

Por, të shohim nga ndeshja në ndeshje. Kemi pasur shumë ndryshime dhe nuk po bëjmë një ekip solid dhe një skemë të caktuar. Nuk kemi një strukturë fikse loje dhe nuk e dimë si luajmë. Ndryshojmë nga njëra ndeshje në tjetrën. Nuk kemi lojtarë që të dublojnë njëritjetrin dhe ekipi të qëndrojë harmonik. Ne nuk po përcaktojmë dot skeletin e lojës sonë”.

Izraeli

“Më ka pëlqyer shumë si futboll dhe cilësi loje. Ne jemi shumë mbrapa tyre, megjithatë, në futboll ndodh gjithçka. Për mua, është ndeshja që do të përcaktojë klasifikimin mes nesh. Është ndeshja jonë direkte”

Italia pësoi dy gola në Maqedoni?

“Nuk na ngrenë dot vetëm një pikë me Italinë, asaj i prish punë. Me Izraelin duhet të kërkojmë pikë. Unë mendoj që objektivi i De Biazit është vendi i tretë. Izraeli është ndeshja më e rëndësishme e jona. Nuk më intereson fare që të flas për vend dhe kualifikim, sepse cilido e kupton që jemi jashtë Botërorit.

Ne duhet të krijojmë një strukturë loje, një lojë të mirë që të na ngrejë në cilësi. Ne kemi luajtur nën nivelin e Europianit deri tani. Më shqetëson niveli i lojës që është në rënie nga ndeshjet e Europianit. Nuk është Spanja që e tregon këtë, por vështirësitë me Maqedoninë dhe me Lihtenshtejnin. Mbetet për t’u parë përballja me Izraelin”.

Lojtarët

“Disa futbollistë që i prisnim të rriteshin, u ka rënë forma. Xhaka, Memushaj, Balaj u zhduk pas Portugalisë, por tani doli në evidencë. Memushaj është lojtar i dorës së dytë për momentin. Ky trajner mendon se ky grup futbollistësh është i tillë që duhet të mbahen në tonus sepse janë të gjithë njësoj. Nuk është kështu.

Aftësia e trajnerit është që të dijë ta mbajë ekipin në fushë. Të di se kur lojtarët janë efikasë. Lila ka qenë i zhdukur fare dhe tani vjen në formacion. Nuk e kuptoj. E gjithë kjo për mungesë në strukturën e skuadrës. Shoh një ekip pak të çorientuar. Nuk ka stabilitet në formacion, në lojë. Trajneri e drejton skuadrën”.

Në Rifreskim të Kombëtares

“Rifreskimi bëhet sepse ka lojtarë të rinj që janë marrë dhe grumbulluar. Në ndeshje miqësore, trajneri mund t’i provojë. Është e vështirë që të ruash një grup të vogël lojtarësh gjatë gjithë kohës. Ndryshuam 100% mesfushën dhe kjo ndikon. Arsyeja është që nuk kemi forcë fizike. Duhet të kemi një bosht me shtatë lojtarë dhe ndryshimet të jenë vetëm dy apo tre. Asnjë lojtar nuk është i sigurt”, u shpreh Muça në analizën e tij. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: