TIRANË – “Kryeministri është peng i gjërave drithëruese që di Toma.” – Në këtë konkluzion ka dalë sot djali i ish-Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, që ka reaguar pasi ka dëgjuar deklaratat e forta të socialistit Tom Doshi.

“Si mund ta shpëtojmë Ramën nga pengmarrja e Tomës? – ka komentuar ai në Fb. – Tom Doshi deklaroi sot se Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Deri ketu nuk na çudit as konstatimi, as vonesa e konstatuesit për të kuptuar “virtytet” e Ramës. Por deklarata e dytë lidhej me të vërteta, që do të trondisin themelet e mazhorancës.

Sado me rezerva ta marrësh këtë kërcënim, stili, thelbi dhe personi që e lëshon, të bëjnë të mendosh që Kryeministri është peng i gjërave drithëruese që di Toma. Gjëja bëhet më serioze po të kemi parasysh se nuk bëhet fjalë për një marrëdhënie Ramë – Tomë, por kryeminister – Tomë, që do të thotë se Toma nuk mban peng vetëm Kryeministrin, por për shkak të funksionit dhe “fuqive” të tij, ai mban peng shoqërinë.

Mënyra më e mirë për të shpëtuar Ramën, Kryeministrin dhe veten nga pengmarrja, është të ndajmë të parin nga i dyti. Në këtë mënyrë mbase as Tomës nuk do i hyjnë më në punë, ato që di për Ramën dhe do e lerë dhe atë të qetë,”- përfundon Berisha, i riu.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb