Mbrëmë u organizuan ndeshjet e para të ligës amerikane të futbollit, MLS, më yje si Pirlo, Gerrard, Lampard dhe shqiptarin Shkëlzen Gashi. Lojtari i kombëtares shqiptare e filloi me humbje, ndërsa intervista e mëposhtme është kryer nga tabloidi zviceran Blick.ch, përshtatur nga botasot.info. E para pas transferimit të Gashit drejt kontinentit tjetër.

Si ju shkojnë punët këtu?
Unë jam mirë, faleminderit!

Si qëndroni me anglishten?
Çdo ditë e më mirë. Përderisa do mbaroj punët më të rëndësishme, do ulem në bankë dhe do mësoj gjuhën. Një banesë vetëm e kam gjetur.

Me kë banon?
Momentalisht jam vetëm, ndërsa vëllai im më ka vizituar në SHBA.

Cilat janë përshtypjet e para?
Kur erdha në Denver, janar, e pashë se çdo gjë më përshtatej me qytetin. Këtu ka shumë gjelbërim dhe male, ngjashëm si në Zvicër.

Si është niveli? Liga e MLS shpesh nënvlerësohet…
Ai që nënvlerëson një ligë me lojtarë si Kakà, Lampard, Gerrard, Pirlo dhe shumë të tjerë, nuk kupton shumë nga futbolli. Stadiumet janë moderne dhe të mbushura plot. Mendimi im është se klubet e ligës amerikane nuk janë pas klubeve të Zvicrës.

Si janë tifozët këtu?
Personalisht nuk kam pasur kontakte me ta. Megjithatë gëzohem se shumë shqiptarë që jetojnë në SHBA, më kanë përshëndetur për vendimin tim që të transferohem në MLS.

Colorado Rapids nuk kanë lënë gjurmë në ligën amerikane. Jeni ju ai që do sillni ndryshime?
Kjo është e ekzagjeruar, por atë që kam arritur në Zvicër, pres ta arrij edhe në SHBA. Denveri është një qytet sportdashës dhe këtë e vërejmë edhe nga fitorja në Super Bowl (Denver Broncos fituan para një muaji kupën)

Ju përshkruheni si “designated player”. Sa të rëndësishme ishin paratë për transferimin tuaj?
Nëse do ishte puna për para, tani do isha në Kinë ose Emirate.

Por ju donit të qëndronit larg Baselit. Kishte probleme mes jush dhe trajnerit Urs Fischer?
Definitivisht jo. Ka pasur interpretime që nuk ishin të sakta. Fakt është: Unë kisha një histori suksesi në Basel dhe gjithashtu edhe ndarje pozitive.

Si lojtar i MLS, i plotësoni kushtet për pjesëmarrje në France 2016?
Kam folur me trajnerin de Biassi përpara se të nënshkruaj këtu. Ai e di sesa i lartë është niveli dhe më ka mbështetur.

Pronarët e Rapids janë edhe të Arsenalit. Mund të transferoheni në të ardhmen brenda klubeve të pronarëve tuaj…
Saktë, mbase një ditë do luaj futboll edhe me Broncos. Pronarët e mi e kanë edhe atë. Unë kam nënshkruar me këtë klub katër vite dhe dua të kem sukses.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: