VLORË– Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në orët e vona të së martës në një pikë kontrolli në Vlorë. Policia bën me dije se disa persona kanë qëlluar me armë zjarri drejt makinës së policisë kur janë ndaluar për kontroll, ndërsa 3 të dyshuar janë arrestuar.

Rreth orës 23:00 dy mjete një tip ‘Benz’ me targë AA191HS dhe nje ‘Land Rover’ me targë VL1553D, lëviznin me shpejtësi njëri pas tjetrit në vendin e quajtur ‘Sherishtë’, ndërsa patrulla i ka ndaluar për kontroll.

Pas afro 100 metër distancë, dy makinat kanë ndaluar dhe ne ketë kohë është afruar shërbimi dhe i ka pyetur: -‘Cfare problemi keni?’, në ketë moment drejtuesi i ‘Land Roverit’ ka qëlluar me pistoletë në drejtim të makinës së policisë dhe kane ikur me shpejtësi, bën me dije policia e Vlorës.

Shërbimi ka komunikuar me makinën tjetër të policisë që ishte në pikën tjetër të postobllokut e cila ka bërë ndalimin e të dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës.

Personat që ishin në ‘Land Rover’, kane braktisur makinën, ndërsa 3 persona janë bllokuar në mjetin tip ‘Benz’, ku ka rezultuar se njeri prej tyre ishte i plagosur. Policia arrestoi vëllezërit Vasil dhe Ilir Birçaj 37 dhe 46 vjeç, si dhe shtetasin e plagosur Martin Hitaj 35 vjeç, i cili u dërgua për ndihmë në spital.

Bëhet me dije se pasi është pyetur, 35-vjeçari ka deklaruar se është plagosur në fshatin Kotë për rrethana akoma të paqarta nga policia.

Ne automjetin e braktisur tip ‘Land Rover’, janë konstatuar 2 automatikë, ndërsa nuk dihen autorët të cilët janë shpallur në kërkim.

Policia ka arrestuar ne flagrance dy vellezërit Birçaj per “Mosbindje ndaj urdherit te Policisë” dhe “Mbajtja e armeve dhe municioneve pa leje”.

Ndërkohë, policia është duke kryer te gjitha veprimet e para hetimore, këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes nën drejtimin e Prokurorit të gatshëm.

POLICIA: JA SI NDODHI NGJARJA
Mbrëmjen e djeshme Policia e Vlorës, gjatë një shërbimi për kontrollin e mjeteve dhe personave që lëvizin me armë zjarri dhe sende të kundërligjshme, të vendosura në dy pika kontrolli në vendin e quajtur Sherishtë, një nga grupet e shërbimit ka konstatuar dy automjete, një “Benz” me targë AA191HS dhe një “Land Rover” me targë VL1553D, të cilët po ecnin me shpejtësi në drejtim të tyre.

Shërbimi i Policisë ka dhënë sinjal për ndalimin e automjeteve por personat nuk i janë bindur urdhërit të Policisë. Në këto momente shoferi i mjetit “Land Rover” ka qëlluar 5 herë me Pistoletë me qëllim për t’i smbrapsur forcat e Policisë. Shërbimet i janë kundërpërgjigjur me zjarr personave dhe janë vënë në ndjekje të tyre por për shkak të kushteve të vështira dhe errësirës, autorët janë larguar me shpejtësi.
Menjëherë, shërbimi ka komunikuar me efektivët e tjerë të vendosur në pikën tjetër të kontrollit e cila ka bërë të mundur ndalimin e të dy mjeteve që po lëviznin njëri pas tjetrit në drejtim të Vlorës.
Personat e mjetit, Land Rover, kanë përfituar nga errësira duke ndryshuar drejtimin e rrugës dhe janë larguar menjëherë duke braktisur mjetin Land Rover.

Shërbimet e Policisë kanë bllokuar menjëherë mjetin Benz, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 3 shtetasve të mësipërm, ku ka rezultuar që njeri prej tyre ishte i plagosur.
I plagosuri me identitetin: Martin (Erton) Hitaj, pasi është pyetur ka deklaruar se është plagosur në fshatin Kotë, megjithatë Policia po heton në lidhje me zbardhjen e ngjarjes pasi rezulton për shkaqe akoma të paqarta.

Ndërkaq në pranga kanë rënë:
1. Ilir Birçaj, 46 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë.

2. Vasil Birçaj, 37 vjeç, banues në të njëjtën lagje.

3. Martin (Erton) Hitaj, 35 vjeç, banues në Vlorë, (i plagosur me armë zjarri në shpatull).

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

* 2 armë zjarri Automatikë model 56’,

* 4 krëhëra të mbushur me 100 fishekë model 56’,

* 120 fishekë model 56’,

* 18 fishekë armë gjahu të kalibrit 12 mm,

* 5 fishekë të kalibrit 9 mm,

* 3 maska pambuku të zeza,

* 2 kapele sportive,

* 1 jelek i verdhë fosforeshent,

* 3 palë dorëza plastike

* 2 palë dorëza pambuku të zeza,

* 2 aparatë celularë (Nokia&Iphone),

* 1 palë syze dielli,

* Policia ka bllokuar dhe sekuestruar gjithashtu 3 automjete të cilat ndodheshin në vendin e ngjarjes (Land Rover – VL1553D, Benz – AA191HS, Mitsubishi – AA296AH).

Nga hetimet paraprake, 3 shtetasit e mësipërm rezultojnë persona me precedentë të lartë kriminal dhe anëtarë të një grupi kriminal brënda dhe jashtë vendit për vepra penale me tendencë si “Krime kundër personit” dhe “Trafikim narkotikësh”.

Gjithashtu, shtetasi: Martin (Erton) Hitaj, rezulton person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 6 Vite Burg në shtetin Italian për “Trafikim Narkotikësh”.

Pista kryesore e Policisë është përgatitja e grupit të mësipërm për kryerjen e një grabitjeje me armë zjarri dhe me maska për të fshehur identitetin e tyre.

Policia e Vlorës po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të larguar dhe po hetohet për sqarimin e plotë të rrethanave që do të jepen në orët në vazhdim.

(d.d/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb