Me kampionatin thuajse të mbyllur, beteja e Skënderbeut është përqendruar në KAS-in e Lozanës, që shihet si shpresa e madhe për të rrëzuar dënimin prej dhjetë vitesh nga UEFA. Përveç drejtuesve, futbollistëve aktualë dhe natyrisht mbështetësve të Skënderbeut, një prej atyre që janë befasuar për këtë dënim të rëndë është edhe ish-kapiteni legjendar i skuadrës korçare, Bledi Shkëmbi.

Fantazisti që la gjurmë të jashtëzakonshme, duke u bërë pjesë e historisë së klubit, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon si e ka pritur vendimin e UEFA-s. Trajneri aktual i Lirisë së Prizrenit mendon se në fund korçarët do të dalin të pastër.

Bledi, ju keni bërë historinë si kapiten i Skënderbeut. Cila ishte gjëja e parë që ju erdhi në mendje kur mësuat për dënimin nga UEFA?
Në asnjë mënyrë nuk e besoja se ishte i vërtetë ai dënim prej dhjetë vitesh. Sinqerisht u shokova. Më erdhën në mendje në atë moment shumë gjëra, më vinte më shumë keq për qytetin e Korçës, klubin, por edhe futbollistët. Ai ekip i ka dhënë jetë qytetit të Korçës në gjithë këto vite. Me plot gojën mund të them se i ka dhënë bukuri.

Si një ish-futbollist i rëndësishëm i Skënderbeut, jeni i bindur që akuzat për të cilat ka ardhur dënimi nuk ekzistojnë?
Patjetër që jam i bindur. Këto akuza që janë bërë nga UEFA nuk qëndrojnë aspak. Jam i bindur gjithashtu se Skënderbeu vuan të qenit i vogël në arenën Europiane dhe kjo ka ndikuar jo pak.

Gjithsesi, presidenti Takaj ka deklaruar se klubi do e fitojë pafajësinë në KAS. Sa e besoni?
Patjetër që besoj te presidentit Takaj dhe natyrisht te KASi i Lozanës. Por, më tepër se kudo tjetër, unë besoj te fakti që nuk mund të ketë një dënim të tillë vetëm se ka dyshime për një ekip.
s
Nëse KAS lë gjithçka në fuqi, çfarë prisni të ndodhë me klubin dhe investitorët?
Nëse KAS do të lerë në fuqi këtë vendim të dhënë nga UEFA, patjetër që kjo do të jetë një humbje e madhe për futbollin, por sidomos për qytetin e Korçës. Për sa i përket presidentit Takaj, se çfarë do të bëjë me të ardhmen, kam përshtypjen se kjo pyetje i takon t’i bëhet vetë atij. Megjithatë, unë shpresoj shumë se KAS do të marrë vendimin në favor të Skënderbeut dhe gjithçka do të shkojë normalisht.

UEFA ka ngritur akuza kryesisht për katër ndeshjet e luajtura në Kupat e Europës. Ju personalisht kujtoni diçka?
Në fakt, me çfarë kam lexuar, UEFA akuzon për gati 50 ndeshje dhe kjo mendoj se është shumë qesharake. Për këto ndeshje në Europë, unë mbaj mend që ne si futbollistë të Skënderbeut kemi dhënë maksimumin e mundshëm në fushë. UEFA dukshëm mendon se nëse Skënderbeu mundet, atëherë e ka trukuar takimin. Por nëse fiton, si në rastin ndaj Sportingut të Lisbonës në Elbasan me shifrat 3- 0, nuk mendon të njëjtën gjë. Kjo më duket shumë absurde dhe e padrejtë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-shkembi-denim-shokues-pse-uefa-nuk-e-quan-trukim-humbjen-e-sportingut/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb