TROPOJË- Përplasje me armë zjarri mes FNSH-së dhe Petrit Çakrajt në Tropojë, gjatë një aksioni për arrestimin e tij. Mësohet se policia ka dështuar për arrestimin e Çakrajt, i njohur si një nga dëshmitarët kyç në vrasjen e Azem Hajdarit si dhe i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë” dhe “Mashtrim”.

Ndërkohë, ky i fundit në një lidhje telefonike për News24, mohon kategorikisht të këtë qëlluar ndaj policisë, ndërsa deklaron se nuk ka pasur asnjë paralajmërim nga ana e tyre dhe ka dyshuar për një atentat ndaj tij.

Çakraj duke pretenduar se nuk ka asnjë detyrim ligjor, shprehet se është i gatshëm t’i dorëzohet drejtësisë.

“Përgënjeshtroj mashtrimet e policisë ose të hajdutëve, të kriminelëve që sundojnë në policinë e Tropojës. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë dhe jam në Shqipëri, në të gjithë botën, ku të duan jam i gatshëm të përballem me ta. Mafia shtetërore që vret në Tropojë nuk bën mirë se ka vra sa të duash. Nuk është zonë krimi Tropoja. Është vend shumë i qetë me njerëz shumë të mirë e shumë bujarë. Nëse i intereson politikës ose dikujt tjetër të tradhëtojë njerëz, të bëjë vrasje në Tropojë ose terror në Tropojë, është puna e tyre që e drejtojnë atë operacion. Jam i gatshëm të përballem me drejtësinë nëqoftëse kam gjuajtur, por unë s’mbaj armë shyqyr Zotit”, ka deklaruar Çakraj nga arratia.

Pyetjes së gazetarit Bledian Koka nëse është i gatshëm për tu dorëzuar, Petrit Çakraj i është përgjigjur pozitivisht, duke theksuar faktin se nuk ka asnjë detyrim ndaj shtetit. “Kam pasur një proces gjyqësor në Durrës, më ka dënuar gjykata me gjobë për drejtim të mjetit jo në gjendje të dehur, me 70 mijë lekë dhe procesi gjyqësor ndaj meje është i mbyllur përfundimisht, nuk kam asgjë”, tha ai.

Ai ka deklaruar se është i plagosur, nga ata që i quan mafia shtetërore që sundon në Tropojë dhe se ka ikur në mal për të shpëtuar jetën.

“Unë dje kam qenë në Tiranë, dje jam kthyer se kisha dalë të blija ushqime për familjen. Sa jam kthyer jam përballur me makinat në errësirë që s’kishin asnjë shenjë dalluese që ishin policia dhe pa asnjë paralajmërim, kanë filluar kanë hapur zjarr ndaj meje në errësirë. Kam ikur se kam menduar që është një atentat ndaj meje, asgjë tjetër. Përgënjeshtroj se nuk kam gjuajtur me armë. Jam gjuajtur nga policia jam i dëmtuar në trup, jam i gatshëm të vij në studio. Kushedi sa plumba rikoshetë i kam ngrënë nga mafia shtetërore që sundon në Tropojë. Kanë ndaluar makinat kryq, kanë zbrit nga makinat armë dhe s’kam parë asgjë tjetër, kam ikur në mal se gjithkush ikën nga plumbat. Jeta është e ëmbël”, ka thënë Çakraj.

ARRESTIMI NE DURRES

Së fundmi Petrit Çakraj u arrestua në maj të këtij vitit te Ura e Dajlanit të Durrës ndërsa tentonte t’i jepte para një punonjësi policie për të mos i bllokuar mjetin, pasi Çakraj po udhëtonte pa patentë dhe pa asnjë dokument të mjetit.

Çakraj i ka paraqitur para punonjësit të policisë tre dokumente si oficer i antiterrorit, për një tjetër agjenci të huaj hetimi dhe zbulimi. Pas arrestimit, gjykata e shkallës së parë në Durrës vendosi “Hetim në gjendje të lirë”, por prokuroria apeloi sërish dhe gjykata e apelit vendosi shpalljen në kërkim dhe arrestimin e tij, por që nuk ka mundur të finalizohet nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi Çakraj duke njohur dhe terrenin ka mundur t’i shpëtojë policisë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb