Shkëndija e Tetovës mund të kishte shkruar historinë në Shkup duke ndalur Totenhamin e Mourinho-s por nuk ia doli dot qëllimit.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Ernest Gjoka kaluan afër një barazimi, por eksperienca dhe vlerat e anglezëve u konkretizuan në vetëm 9 minuta me dy golat që i dhanë fitoren miqve.

Prej fillimit Spursat kaluan në avantazh me Lamelën që përfitoi një hapësirë të lirë nga mbrojtja e pavendosur e tetovarëve.
Por në pjesën e dytë kuqezinjtë u bënë me krahë kur Valmir Nafiu realizoi një supergol për të barazuar shifrat në 1-1.

Entuziazmi zgjati vetëm 15 minuta, deri kur Son nga një rrëmujë u gjet i lirë në zonë dhe kaloi sërish në avantazh të tijët. Harry Kane u shfaq pas 9 minutash për të realizuar me kokë dhe për të vulosur fitoren dhe kualifikimin.

Për shkak të eksperiencës, yjeve dhe buxhetit luksoz Totenham dominoi ndaj tetovarëve modestë. Por për 15 minuta Mourinho mendoi se në Shkup po i ndodhte një suprizë e hidhur, dhe kjo u vërtetua dhe me 3 zëvendësimet radhazi që kreu fill pas golit të Nafiut, duke hedhur në sulm Lo Celson, bomberin Harry Kane dhe një nga futbollistët më të mirë të tij, Lucas Moura.

Por me fitoren e sotme Totenham shkon në Play-Off të Europa League, kurse Shkëndija i thotë mirupafshim aventurës edhe për këtë vit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb