SHKODËR- Banorët e fshatit Boks në Postribë kanë protestuar sot kundër ndërhyrjes që po bëhet në kalanë e Krahtulit. Ata nuk kanë lejuar hyrjen e mjeteve të punës dhe janë përplasur me policinë. Banorët kanë thënë se firma do të kryejë shpërthime dhe do të ketë pasoja të rënda për zonën dhe banesat e tyre. Ndërhyja në kalanë e Krahtulit po bëhet nga një firmë e huaj

“Nuk duam të ndërhyjnë, do të ketë pasoja të rënda. Firma do kryejë shpërthime pranë banesave tona. Ndërhyrja do bëhet vetëm 30 metra larg banesave”, kanë thënë banorët. Me gjithë kundërshtimin e tyre policia ka ndërhyrë për të futur mjetet e punës së kompanisë por banorët nuk i lejojnë dhe kanë bërë rezistencë.

Sipas banorëve firma kërkon marrjen e gurëve të kalasë 2700-vjeçare. Ata theksojnë se dëmet që po shkaktohen nga makineritë e tonazhit të rëndë janë të mëdha, ndërsa tregojnë hartën që dëshmon vlerat e rralla të zonës.

Me dëmtimin e gurëve, zhduket një pjesë e vyer e  historisë. Veç gjurmëve të qytetërimit Ilir, kalaja e Krahtulit ka një sërë vlerash pasi ndodhet në një zonë të pasur arkeologjike ku ekzistojnë edhe disa shpella që mbartin histori shekullore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: